Duka reagon për ndarjen nga jeta të Barezit: Figurë emblematike e futbollit italian

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit italian, Franco Baresi.
Përmes një mesazhi ngushëllimi, Duka vlerësoi figurën e Baresit, duke e cilësuar atë si një nga emrat më të mëdhenj të historisë së futbollit italian dhe një simbol të klubit AC Milan.
“Me trishtim mora lajmin për ndarjen nga jeta të Franco Baresit, legjendës së AC Milan dhe një prej figurave më emblematike të futbollit italian”, u shpreh kreu i FSHF-së.
Sipas Dukës, Baresi ishte një shembull i besnikërisë, lidershipit dhe elegancës në fushën e lojës, duke mishëruar për dekada vlerat e klubit ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij.
“Me karrierën dhe personalitetin e tij, ai frymëzoi breza të tërë futbollistësh dhe tifozësh, duke fituar respektin e mbarë komunitetit sportiv”, theksoi Duka.
Presidenti i FSHF-së shprehu ngushëllimet për familjen e Barezit, AC Milan, Federatën Italiane të Futbollit dhe të gjithë ata që e deshën dhe e vlerësuan figurën e tij.
“U prehtë në paqe, Franco Baresi. Kujtimi dhe trashëgimia e tij do të mbeten përherë pjesë e historisë së futbollit”, përfundoi mesazhin e tij Armando Duka.
/a.f/r.e/