E Diel, 1 Nëntor 2026

Dumani në fund të mandatit, ekskluzivisht për RTSH: Janë shtuar kërcënimet ndaj nesh, por nuk ndalemi

Në mbyllje të mandatit si kreu i SPAK, Altin Dumani zgjodhi përsëri RTSH-në për t’u drejtuar drejtpërdrejt publikut. Pas tre viteve në krye të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, dha intervistën ekskluzive për emisionin “Trialog” të Alba Alishanit.

Dumani pranoi se ai dhe prokurorët e tjerë të SPAK janë shënjestër e kërcënimeve, përfshirë edhe kërcënime për jetën e tyre dhe të afërmve nga krimi i organizuar.

Jo më pak kërcënuese është politika, me deklarata publike që shkojnë deri tek emra të veçantë, u shpreh Dumani, ndërsa shtoi se edhe aleati i SPAK, media, shpesh baltos punën e tyre me qëllim, duke dezinformuar.

Në lidhje me konceptin e “Republikës së Prokurorëve”, Dumani e cilësoi pavarësinë e prokurorëve si arritjen më të madhe të sistemit të drejtësisë. Sipas tij, SPAK mund të shkrihet vetëm me vullnet politik, por besimi dhe korniza institucionale e bëjnë këtë të vështirë.

Kreu i SPAK hodhi poshtë çdo pretendim për ushtrim presioni ndaj prokurorit Preçi për dosjen “Balluku” apo ndaj ndonjë prokurori tjetër, duke theksuar se prokurorët janë të pavarur në hetimet e tyre dhe veprojnë në mënyrë profesionale.

Sa i takon dosjes “McGonigal”, Kreu i SPAK deklaroi se çështja ndodhet në fazë hetimi paraprak dhe se po priten letër porositë nga jashtë vendi. Dumani mohojë ndërhyrje politike që pengojnë hetimet.

Në lidhje me përdorimin e sektorit të ndërtimit dhe turizmit për pastrim parash nga krimi i organizuar, Dumani nënvizoi se masat janë shtuar dhe një ndërtues që përdorte industrinë për këtë qëllim është nën hetim.

Kreu i SPAK hodhi poshtë akuzat për “represion” në hetime, duke theksuar se masat i vendos gjykata dhe se SPAK vepron gjithmonë mbi bazën e provave.

Në aspektin ndërkombëtar, Dumani theksoi se SHBA dhe Bashkimi Evropian kanë qenë mbështetje e vazhdueshme, pa ndërhyrje në hetimet e brendshme, ndërsa bashkëpunimi vijon normalisht edhe me Administratën Trump.

Në këtë fund mandati, Dumani pranoi se disa situata mund të ishin menaxhuar më mirë, por përkushtimi ndaj detyrës ka qenë maksimal. Hodhi poshtë pretendimet se do të kërkonte një mandat të dytë.

Duke folur për pasardhësin, Dumani u shpreh se institucioni është konsoliduar dhe ka garanci për vazhdimësi, ndërsa vlerësoi punën e të gjithë prokurorëve të SPAK.

Gazetare: Rugova Dushnica

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›