Duro: Fillimi i mbarë "gjysma e punës"

Të shtunën, të kuqtë kanë mundur 1-0 Bylisin në shtëpinë e këtyre të fundit, duke fiksuar fitoren e tretë në këtë sezon, por të dytën në transfertë, pas asaj ndaj Lushnjës në fazën e parë.
Kjo fitore ka kënaqur trajnerin Shpëtim Duro, i cili si të gjithë lojtarët, preferoi të mos e braktisë klubin në momentin e tij më të vështirë.
"Sigurisht që jam i kënaqur, pasi kjo ishte një fitore e rëndësishme për ne dhe theksoj se ky është një fillim i mbarë për këtë pjesë të sezonit, thotë trajneri i Partizanit, i cili, duke vlerësuar kundërshtarin, por edhe situatën e trazuar, në të cilën ndodhen të tijtë, e kishte parashikuar si një sfidë të vështirë ndeshjen.
Sërish theksoj, ashtu siç e kam shprehur edhe më parë, kjo transfertë ishte e vështirë për ne dhe ne ia dolëm mbanë. Arbitrimi ishte korrekt në këtë ndeshje, mund të them edhe më korrekti nga të gjitha ndeshjet e tjera. Bylisi kishte rastet e saj për të shënuar, në përgjithësi uajtën një lojë të mirë. Gjithsesi, unë i uroj suksese kësaj skuadre për takimet që vijojnë".