Duro: Nuk luajmë për statistikë!
Korça do të jetë në festë sot, pavarësisht rezultatit të 90 minutave të ndeshjes kundër Apoel Nikosias. Për herë të parë bardhekuqtë juglindorë do të shkelmojnë një top që vlen nisjen e një ndeshjeje të vlefshme për Kupat e Europës. Për herë të parë Skënderbeu luan në Champions. Kaq mjafton që sfida e sotme të marrë një vlerë më shumë sesa futbollistike.
Por trajneri i juglindorëve, Shpëtim Duro e lë mënjanë atmosferën festive në qytet dhe kërkon të fokusohet tërësisht te loja dhe te rezultati teknik. Ai kërkon të marrë më të mirën nga kjo ndeshje, kundër një kundërshtari shumë më ekspert në kompeticionet europiane, sikundër është Apoel Nikosia, që para dy sezonesh ka luajtur në fazën në grupe të Champions Laegue. “Ndeshja është shumë e fortë, shumë e vështirë. Një skuadër që normalisht ka eksperiencën shumë më të mirë se skuadra jonë, por besoj se do të rezistojmë dhe do të konkurrojë denjësisht me Apoelin”-tha trajneri i Skënderbeut, Shpëtim Duro. Megjithatë, trajneri kryeqytetas përpiqet që ta vlerësojë me realizëm kundërshtarin, duke mos kërkuar që ta mbivlerësojë. Për Duron kjo do të thotë se Skënderbeu nuk do të zbresë në tapetin e gjelbërt vetëm për të bërë një ndeshje të radhës apo për statistika. Duro lëshon dorashkën e sfidës për rivalët qipriotë pasi këtë përballje e shikon si shumë vendimtare për kualifikimin. “Përqindjen më të madhe të mundësive për kualifikim nuk diskutohet që e ka Apoeli. Në të gjitha drejtimet ka shumë më tepër avantazhe se Skënderbeu, përsa i përket përvojës europiane, buxhetit, por futbolli ka edhe surpriza. E rëndësishme është që skuadra jonë të paraqitet mirë. Ndeshja e parë është shumë e rëndësishme para sportdashësve tanë që sigurisht e presin me padurim këtë takim”-theksoi ai. Parë kështu, sot në fushën e stadiumit “Skënderbeu” do të shohim një sfidë emocionuese, ku Skënderbeu do të kërkojë të bëjë Davidin përballë Golias së fuqishëm qipriot.
Praktikisht Duro e ka vendosur formacionin, edhe pse nuk dëshiron ta bëjë publik përpara ndeshjes. Asnjë surprizë në repartin e avancuar ku do ti besohet shpejtësisë së Gjergji Muzakës dhe brazilianit të mbërritur këtë verë, Dos Santos, por tekniku ka bërë të ditur se ka konkurencë në mesfushë dhe mbrojtje.