Durrës, sekuestrohen pasuri të dyshuara se ishin vendosur nga veprimtari kriminale

Një goditje e rëndësishme iu është dhënë aseteve të dyshuara të përfituara nga veprimtaria kriminale në Durrës. Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës ka ekzekutuar të enjten një vendim penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, i cili është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit. Ky vendim parashikon konfiskimin e pasurisë në përdorim të shtetasit L. K.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë një sipërfaqe prej 1050 m2 truall, si dhe një objekt njëkatësh me oborr dhe pishinë. Kjo pasuri, pas ekzekutimit të vendimit, iu dorëzua menjëherë Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në prani të familjarëve të shtetasit L. K.
Nga hetimet paraprake, është zbuluar se shtetasi L. K. i ka përfituar këto asete nga veprimtaria kriminale e dy djemve të tij.
Këta të fundit janë të dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
Veç kësaj, dy vëllezërit kanë qenë nën hetim edhe në kuadër të një procedimi penal të vitit 2017. Në atë kohë, ata ishin të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja”, në rrethana të cilësuara, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
/rtsh.al/