Durrës, shfrytëzonte hapësirën publike si parking private për përfitime financiare, prangoset 42- vjeçari

Hapësirat publike, në disa qytete të vendit, gjatë këtij sezoni veror, janë parë si një mundësi e mirë për përfitime financiare nga individë të ndryshëm duke i reklamuar si parkingje private.
Ky fenomen ka ndodhur edhe për shkak të “neglizhencës” së policisë bashkiake, e cila, në jo pak raste, ka shfaqur dobësi në administrimin e territritorit në bashkitë që duhet të mbajë nën kontroll, duke krijuar hapësira për përfitime të paligjshme të individëve që shfrytëzojnë hapësirat publike.
Rasti më i fundit i spekulimit me hapësirat publike është konstatuar në Durrës, ku një 42 vjeçar, iu merrte para qytetarëve që parkonin automjetet në një hapësirë publike që ishte përcaktuar nga bashkia, si vendparkim pa pagesë.
Sipas policisë, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme që specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Durrës kryejnë në subjekte të ndryshme ekonomike, është bërë e mundur goditja e një tjetër rasti përfitimesh në mënyrë të paligjshme, të pagesave për parkimin e automjeteve në hapësira publike.
“Për këtë rast, është vënë në pranga shtetasi A. Ç., 42 vjeç, banues në Durrës, pasi iu merrte para qytetarëve, për të parkuar automjetet në një hapësirë e cila ishte përcaktuar nga bashkia e Durrësit, si vendparkim pa pagesë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.”- thuhet në njoftimin e policisë.
Pak ditë më parë, po në Durrës, u prangos një 37-vjeçar pasi iu merrte para qytetarëve, për të parkuar automjetet në një hapësirë publike, e cila ishte e destinuar nga bashkia e Durrësit, si vendparkim pa pagesë.
I riu iu merrte para nga 300-500 lekë qytetarëve, për të parkuar automjetet në një hapësirë, në lagjen nr. 1, hapësirë e cila ishte e destinuar nga bashkia e Durrësit, si vendparkim pa pagesë.
Nga verifikimet rezultoi se 37-vjeçari shfrytëzonte si punëtorë në këtë biznes, edhe dy shtetas të mitur të moshës 16 dhe 17 vjeç.
/rtsh.al/