Durrës, ujërat e zeza në det, subjektet deri 100 mijë gjobë

Ministri i Mjedisit, Mediu, në takimin e djeshëm për situatën turistike në plazhin e Durrësit
Nga 100 mijë euro deri në 3 vjet burg për çdo subjekt që derdh ujërat e zeza në det. Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, ka paralajmëruar nga Durrësi sanksionet që do të ndërmerren në rast të konstatimit nga inspektorë të mjedisit për ndotje. Në një takim që zhvilloi në Prefekturën e Durrësit për sezonin turistik, Mediu deklaroi se është e patolerueshme dhe e papranueshme që në det të derdhen ende ujërat e zeza. Në bashkëpunim me Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Inspektoratin e Shëndetit Publik dhe policinë, do të ndëshkohen rëndë subjektet abuzuese, sanksione që fillojnë nga gjoba deri në 100 mijë euro, bllokimin e aktivitetit dhe ndjekje penale. Duhet të marrim masa urgjente, nëse do të duam të kemi një sezon turistik sa më të pastër. Shkarkimi i ujërave të zeza që bëhet nga aktivitetet e ndryshme që operojnë përgjatë vijës bregdetare, banesat apo edhe blloqe rezidenciale, kanë detyrim për të vepruar në bazë të ligjit dhe për këtë ne duhet të angazhohemi për të marrë masa për të gjitha këto subjekte që shkelin ligjin, tha Mediu. Sipas tij, në rast moszbatimi të ligjit, do të merren masat nga gjobë deri në 3 vjet burg. Në lidhje me trajtimin e mbetjeve urbane, problem ky që në jo pak raste ka ndikuar negativisht në mbarëvajtjen e sezonit turistik, Mediu tha se njësitë vendore duhet të përcaktojnë vend-depozitimin e tyre, me qëllim zgjidhjen përfundimtare të ndotjes së zonave turistike. Teksa bëri evident të gjitha problemet me të cilat përballet turizmi sot, ministri i Mjedisit e vuri theksin në një tjetër shkelje flagrante të ligjit, atë të ndërhyrjes në det nëpërmjet objekteve apo moleve. Ndërtimi i këtyre objekteve në det është një akt kriminal, i prekshëm edhe në bregdetin e Durrësit, prandaj duhet të marrim masa urgjente për ti dhënë fund këtij fenomeni, duke vënë përpara ligjit të gjithë shkelësit e saj. Ndërkaq, një tjetër problem për të cilin duhet të merren masa, është ndotja akustike, e cila është kthyer në një fenomen në zonën e plazhit. Agjencia Rajonale e Mjedisit në Durrës do të kryejë inspektime të shpeshta në mënyrë që ky fenomen të dalë nga lista e zezë. Nëse do të hasen shkelje, do të merren masa të rrepta, deri në pezullimin e aktivitetit, u shpreh Mediu. Për situatën në bregdetin e Durrësit raportoi kreu i Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Ramazan Kalia. Sipas tij, më problematike mbetet situata në Currila, ndërsa në bregdetin e Shkëmbit të Kavajës, ARM ka hasur në pengesën që i është bërë punës së tyre nga komuna e Rrashbullit, Inspektorati Ndërtimor dhe CEZ Shpërndarje. Agjencia e Mjedisit theksoi edhe mungesën e bashkëpunimit me Bashkinë për situatën e krijuar në plazh. Në këtë takim mungonin përfaqësues të Bashkisë së Durrësit, të cilët ftesës i janë përgjigjur se janë të zënë me angazhime të tjera.
Sanksionet:
- Gjobë deri në 100 mijë euro
- Dënim deri në tre vjet burg
- Mbyllja e aktivitetit
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ