Durrësi në kujtimet e Flamur Jakupit, ekspozitë me fotografi nga jeta kulturore në vitet 1970-1990

Veprimtaritë artistike dhe kulturore që gjallëruan jetën e qytetit të Durrësit gjatë viteve 1970–1990, me qendër Pallatin e Kulturës, erdhën në galerinë e artit pamor në Durrës përmes ekspozitës “Kujtoj” nga Flamur Jakupi.
Dhjetëra fotografi që sjellin një tjetër koncept, për të rikthyer në vëmendje të gjithë ata persona që ishin pjesë dhe kontribuuan në mbarëvajtjen e këtij institucioni të rëndësishëm kulturor.
“Durrsakët ishin artdashës dhe ndiqni programet e RAI-it në atë kohë dhe në përgjigje të këtyre dëshirave, kompozitori Agron Xhunga ideo, projektoi dhe realizoi një shfaqje të tillë si “Anketa Muzikore””, tha fotografi Flamur Jakupi.
Bujar Qesja, një nga ish-drejtuesit e Pallatit “Rinia”, e cilësoi këtë ekspozitë si një moment të rrallë kujtese dhe nderimi për artin durrsak.
“Çdo ndërmarrje ka pasur grupin e tij artistik, të teatrit dhe individët më të mirë merreshin nga trupa qendrore ku kanë dalë artistë të njohur”, tha Bujar Qesja ish-drejtor i pallatit Rinia.
Kjo është ekspozita e dytë e autorit, e cila vjen si një udhëtim emocional, si një dëshmi e gjallë e një kohe ku arti, rinia dhe pasioni për kulturën ishin në qendër të jetës qytetare Durrsake. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 12 nëntor.
/rtsh.al/