Durrësi shton kontrollet në plazhe, në fokus shitësit ambulantë dhe siguria e pushuesve

Rritja e numrit të pushuesve ka intensifikuar kontrollet në vijën bregdetare të Durrësit. Një nga problematikat që vijon të konstatohet është prania e shitësve ambulantë, të cilët ushtrojnë aktivitet jashtë kuadrit ligjor duke shqetësuar pushuesit.
“Çdo javë zhvillojmë një mbledhje me Task-Forcën për të analizuar problematikat e hasura dhe për të evidentuar të gjitha shqetësimet e konstatuara përgjatë vijës bregdetare. Si në çdo sezon turistik, sfidat kryesore mbeten shitësit ambulantë, siguria në plazhe dhe funksionimi i shërbimit të rojeve bregdetare”, u shpreh Oltsen Gripshi, Koordinator i Task Forcës.
Sipas Task Forcës, monitorimi zhvillohet çdo ditë në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, me qëllim identifikimin dhe zgjidhjen në kohë të çdo problematike që mund të ndikojë në ecurinë e sezonit turistik.
“Jemi në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, Policinë Vendore të Durrësit dhe Policinë Bashkiake. Jemi vazhdimisht në terren për të evidentuar dhe kuptuar të gjitha situatat apo problematikat që kërkojnë zgjidhje dhe adresim. Pjesë e Task-Forcës është edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, dega Durrës, i cili mbulon aspektin e sigurisë ushqimore përmes kontrolleve të përditshme në subjektet që ushtrojnë aktivitet në zonat bregdetare”, tha ai.
Paralelisht, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon inspektimet në subjektet përgjatë bregdetit, duke kontrolluar kushtet e tregtimit, ruajtjen e produkteve dhe zbatimin e standardeve të higjienës e sigurisë ushqimore, për të garantuar shërbime sa më cilësore për pushuesit.
/rtsh.al/