Dy fitore të mëdha për Dardan Cenën në kampionatin e xhudos në Baku, fiton 320 pikë olimpike

PRISHTINË, 6 tetor /ATSH/ Dardan Cena ka bërë paraqitje të mirë në Kampionatin Botëror të xhudos në Baku, duke regjistruar dy fitore në kategorinë deri në 73 kilogramë dhe duke u renditur mes 16 xhudistëve më të mirë të turneut.
Kosova po përfaqësohet me katër xhudistë: Laura Fazliu (-63 kg), Akil Gjakova (-73 kg), Dardan Cena (-73 kg) dhe Shpati Zekaj (-100 kg).
Në dyluftimin e parë, Cena mposhti irlandezin Joshua Green, ndërsa në raundin e dytë realizoi një fitore të madhe ndaj kampionit olimpik nga Gjeorgjia, Lasha Shavdatuashvili.
Në raundin e tretë, Cena nuk arriti të vazhdojë tutje, por dy fitoret e regjistruara në Botëror i sollën atij 320 pikë në renditjen që llogaritet për kualifikimin olimpik.
Këto pikë kanë rëndësi të veçantë pasi procesi i kualifikimit për Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028” ka nisur gjatë vitit 2026.
IJF sqaron se rezultatet në garat kryesore ndërkombëtare, përfshirë Kampionatin Botëror, Grand Slam-et, Grand Prix-të dhe kampionatet kontinentale, kontribuojnë në renditjen olimpike.
Në sistemin e IJF-së, pikët e fituara në një garë vlejnë 100% për 12 muaj, më pas ulet vlera e tyre në 50% për 12 muajt pasues dhe pas 24 muajsh skadojnë.
320 pikë janë një shtesë e rëndësishme për Cenën, sidomos në një Botëror ku niveli i pikëve të ofruara është ndër më të lartët në kalendarin e xhudos.
Në renditjen e publikuar para kapmpionatit, Cena kishte 630 pikë në kategorinë -73 kg dhe renditej i 72-ti në botë.
Kështu, dy fitoret në Baku jo vetëm që e çuan Cenën mes 16 më të mirëve në botë në këtë Botëror, por i dhanë edhe një shtysë të rëndësishme në rrugën drejt Los Angeles 2028.
IJF ka konfirmuar se lista olimpike do të publikohet pas Kampionatit Botëror të Baku 2026.
Kosova do të ketë në garë edhe Laura Fazliun më 7 tetor dhe Shpati Zekajn më 8 tetor.
/KosovaPress/