Dy mijë banorë të harruar nga e gjithë bota
Kanë ardhur nga fshatrat e thella në kërkim të një jete më të mirë por kanë mbetur “jetimë” në mes katër rrugëve pa pasur as ujë të pijshëm=
POGRADEC- Vetëm tre kilometra larg zemrës së qytetit të Pogradecit, pranë liqenit, atje ku dikur ndodhej kompleksi i minierës së Gurit të Kuq jetojnë mbi dy mijë banorë, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët veç vetes së tyre. Dikur këtu ka qenënjë nga minierat më moderne të vendit ku punonin mbi 1500 minatorë dhe vetëm kuadro me shkollë të lartë mbi 60 specialistë të fushave të ndryshme. Por në vitet e tranzicionit i gjithë ky korpus industrial me fabrikën e pasurimit me dy pallate të mëdha që shërbenin si fjetore të minatorëve, qendra shëndetësorë, pallati i kulturës dhe të gjitha objektet e tjera janë transformuar duke e kthyer këtë kompleks industrial të minierës në një qendër të banuar. Ata që kanë vendosur të jetojnë aty janë familjet e minatorëve nga zonat e thella nga Mokra e thellë malore dhe fshatra të tjera që kanë punuar në këtë minierë. Por si rezultat i ndryshimeveqë ndodhën, miniera dhe qendrat e tjera industriale ku ata punonin u mbyll dhe ata humbën vendet e punës. Kjo i detyroi ata që të shpërngulen në periferi të qytetit për një jetë më të mirë por kjo ngeli një ëndërr.
***
Ata kanë ardhur nga fshatra të thella të Mokrës dhe Gorës duke lënë shtëpitë dhe tokat në fshatrat e tyrepër të ardhur pranë qytetit për një jetë më të mirë. “Por ne kemi ikur nga shiu dhe kemi rënë në breshër”,- thotë ish-minator Ahmet Korça nga Debrova e Mokrës. E përbashkëta e gjithë këtij komuniteti është mos integrimi me ritmet normale të jetës. Jeta e tyre është shumë larg parametrave realë të jetës. Ata nuk gëzojnë asnjë status as të qytetarit as të komunës fqinjë të Hudënishtit. “Për të votuar,- thonë banorët, votojmë për bashkinë e qytetit. Kur kemi halle, ata të bashkisë na thonë shkoni se vareni nga komuna Hudënisht. Nuk kemi një qendër shëndetësore apo të paktën një kabinë telefonike pasi jemi mbi dy mijë banorë që jetojmë në këtë qytezë minatorësh”. Një grua pranë një tezge të thjeshtë, Refkë Dervishi, thotë se “na mbyti fukarallëku dhe nuk kemi asnjë ndihmë nga shteti përveç një ndihme ekonomike që është qesharake”. Petrit Rexha, banor i kësaj qyteze thotë se i vjen turp që pesë fëmijët e tij kanë ngelur analfabetë. Por si fëmijët e mi në këtë qytezë mund të bëhen me qindra fëmijë. Unë së bashku me gruan time, Liljanën, e kemi mbaruar shkollën tetëvjeçare ndërsa fëmijët tanë kanë ngelur analfabet dhe për këtë nuk do të më tresë dheu kur të vdes. Por jetojmë kohë të vështira. Ja ky është djali im i madh. Përparimi është 16 vjeç, ngrihet që në mëngjes dhe mbledh kanoçe dhe shishe anës liqenit nëpër lokalet e bregut të liqenit …gjithë ditën për 500 lekë të reja”,- thotë Petrit Rexha.
***
Rajmond Rushiti thotë se ka punuar 12 vjet në këtë minierë dhe ka mbi 18 vjet që jeton në këtë qytezë të vdekur në mes të mjerimit dhe fukarallëkut me një ndihmë ekonomike. “Jetojmë në pallatet e minatorëve por dhe këtu jemi me plaçka të ngritura sepse njëri pallat, ai me tre kate,u privatizua iu dha ish-minatorëve, po ashtu edhe disa objekte shëndetësore apo sociale ndërsa ndërtesa e madhe pesëkatëshe ende nuk është privatizuar. Trokasim derë më derë nëpër zyra,- thotë Rajmondi, dhe askush nuk na jep një rrugëdalje”. Kjo zonë periferike e qytetit të Pogradecit e këtyre njerëzve të pafatqë janë në breg të liqenit dhe nuk kanë ujë të pijshëm. Me forcat e tyre kanë ndërtuar një ujësjellës dhe marrin ujë nga galeritë e nëntokës ujë të pakontrolluar të pa klorizuar.
PROBLEMET
“Por edhe ato listat duhen larë por me se t’i lajmë. Ja sa të afrohen zgjedhjet dhe vijnë ata që duan votat”
Ushqimet merren me lista ndërsa uji është i helmuar
POGRADEC- Banorët vuajnë pjesa dërrmuese nga veshkat. Bukurie Zeka sjell një shishe nga uji i galerive dhe na i tregon, uji është i turbull dhe në fund ka ngjyrën të kuqe. Bukuria thotë se ajo dhe fëmijët e saj janë të sëmurë nga veshkat sa shtrohet njëri në spital shkon tjetri me infeksion veshkash. Uji që ata marrin nga galeritë ka filluar kohët e fundit që të turbullohet sepse nëpër galeri atje ku janë burimet e ujit, futen shumë persona edhe nga banorët e qytezës edhe që vijnë nga Pogradeci për të marrë mbeturina hekuri nëpër galeritë e braktisura dhe i shesin për skrap. Ata rrezikun e kanë në çdo çast mbi kokë. Alime Ibrahimi, një grua e moshuar që jeton vetëm me bashkëshortin në këtë qytezë, thotë se janë tepër të varfër dhe ushqimet i marrin me listë. “Por edhe ato listat duhen larë por me se t’i lajmë. Ja sa të afrohen zgjedhjet dhe vijnë ata kandidatët për deputet që duan votat dhe shkojnë marrin listat e borxheve në shkëmbim të votave ja kështu na gënjejnë me një thes miell apo me listën e ushqimeve”,- tregon e pikëlluar ajo. “Kemi lënë fshatin tonë në Mokër,- thotë Shabani, për një jetë më të mirë por kushtet që na afrohen janë shumë të këqija. Në fund të çdo kati të fjetoreve të minatorëve kemi vetëm dy banja të përbashkëta kjo besoj iu mjafton të mësoni se si jetojmë ne. Është një fondacion amerikan që ka filluar para disa kohësh, i cili ka hapur një shkollë për fëmijët analfabetë, por ende ka edhe shumë të tillë”. . Të gjithë këta njerëz jetojnë me një shpresë se nesër do të bëhet më mirë se shpresa, thonë ata, vdes e fundit. Kryetari i komunës së Hudënishtit, Nexhmi Dokollari, thotë se u privatizua njëri pallat dhe së shpejti do të privatizohet dhe pallati pesëkatësh por kjo qytezë ka shumë probleme sociale për të cilët duhen projekte konkrete për të përmirësuar kushtet e jetesës.