E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Dy sulmet vdekjeprurëse në Serbi, Vuçiç: Vrasësit nuk do të lirohen kurrë, do ju tregoj diçka që nuk e keni parë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se autorët e krimeve në shkollën “Vladislav Ribnikar” dhe në Mlladenoc nuk do ta shohin më dritën e diellit, duke paralajmëruar burgim të përjetshëm për ta. Në të dy sulmet e ndodhur brenda pak ditësh në Beograd, mbetën të vdekur 17 persona.

“Kërkojnë protesta, ata që kërkojnë të lirojmë menjëherë fëmijën e përbindëshit, t’ua kthejmë prindërve se çdo gjë është në rregull dhe pastaj të presim që herën tjetër të vrasin sërish. Besoj se një shtet i rëndë duhet mos ta lejojë këtë, a kemi rregullore si kjo apo diçka e tillë, le të merren avokatët”, tha Vuçiç, raporton Tanjug.

Krahas uljes së pragut të përgjegjësisë penale nga 14 në 12 vjet, presidenti tha se do të vazhdojnë diskutimet me ekspertë dhe shoqata për të parë se çfarë mund të bëhet tjetër.

“Unë po ju them tani si dikush që nuk do të jetë më president, por si dikush që ka marrë besimin më të madh të popullit në një seri kaq të gjatë vitesh, po ju them ju qytetarë të Serbisë, shqetësohuni se si do ta zgjidhim këtë me rrjetet sociale, sepse nesër do t’ju tregoj diçka që nuk e keni parë”, tha presidenti.

Ai shtoi se nuk bëhet fjalë vetëm për Tik Tok, i cili është i ndaluar në disa vende të botës, por edhe për rrjete të tjera sociale dhe pyeti se cili është ndryshimi midis YouTube dhe Tik Tok.

“Ajo që do të shihni unë mendoj se është në YouTube, është bërë ende si videoklip, video lojë. Është bërë në vendin tonë, ky djali i vogël e ka ndjekur, ne kemi prova. Do ta shihni që është e pabesueshme, sikur ajo qe ka bere te ishte kopjuar me indigo. Për te vërtetuar fajin për vrasjen duhet te tregosh direkt shkakun, se vrasësi prandaj e ka kryer”, tha presidenti.

Vuçiç bëri me dije se deri në fund të muajit maj do të ketë ngjarje interesante politike dhe para se kjo të ndodhë, sipas tij, është e nevojshme të ruhet stabiliteti i vendit.

“Ne nuk jemi këtu për t’u kujdesur për veten dhe për kolltukët tanë, por për të mbrojtur vendin dhe që Serbia të ecë përpara. Ne duhet të fillojmë punën nga nesër, fëmijët duhet të shkojnë në shkollë, duhet të jetojmë lirshëm dhe të marrim masa. Le të punojmë”, u shpreh ai.

Kujtojmë se më 3 maj, një 14-vjeçar u mori jetën tetë fëmijëve dhe një roje sigurie, pas të shtënave me armë në një shkollë fillore në kryeqytetin e Serbisë.

Dy ditë më pas, më 5 maj, një tjetër sulm i rëndë ndodhi në Serbi, ku një 21-vjeçar qëlloi me armë drejt njerëzve duke lënë të vdekur 8 prej tyre, një prej të cilëve polic, dhe duke plagosur 13 të tjerë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›