Dy të proceduar penalisht në Ksamil për qiramarrje Jet Ski pa licencë, dëmtohet lehtë turisti francez

Dy shtetas janë proceduar penalisht në Ksamil pasi u dhanë me qira dy mjete lundruese tip “Jet Ski” dy turistëve francezë, pa qenë të regjistruar për këtë aktivitet. Kjo ngjarje rezultoi edhe me dëmtimin e lehtë të njërit prej turistëve francezë gjatë manovrave me Jet Ski.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas zbardhjes së rrethanave, referuan materialet procedurale në Prokurori. Aty nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Fshehja e të ardhurave” për shtetasit K. M., 23 vjeç, dhe L. M., 21 vjeç, të dy banues në Ksamil.
Dyshohet se ata u kishin dhënë me qira dy mjetet lundruese vëllezërve francezë A. I. dhe I. I., pa pasur licencën e nevojshme për ushtrimin e këtij aktiviteti.
Shtetasi I. I., i cili u dëmtua gjatë manovrave me Jet Ski pranë mjetit tjetër që drejtohej nga vëllai i tij, mori mjekim dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të veprimeve hetimore, Shërbimet e Policisë Kufitare bllokuan të dyja mjetet lundruese. Gjithashtu, u ndërmorën masa administrative ndaj pronarëve të mjeteve lundruese:
Shtetasi A. Xh. u ndëshkua me dy masa administrative, secila me vlerën 100 000 lekë. Masat u vendosën për shkelje të nenit 14/1/b të ligjit nr. 127/2020, për “Mospasja e dokumentacionit në bord”, dhe të nenit 24/1/ç të ligjit nr. 43/2020, për “Ushtrimi i veprimtarisë së operatorit detar të turizmit pa licencë/certifikatë përkatëse”.
Shtetasi K. D. u ndëshkua me një masë administrative prej 100 000 lekësh, për shkelje të nenit 14/1/b të ligjit nr. 127/2020, për “Mospasja e dokumentacionit në bord”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/