E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy të vrarë me armë zjarri dhe një i plagosur rëndë në Dukagjin

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e sotme në fshatin Mgull, në Njësinë Administrative Pult, në Dukagjin, ku dy persona, babë e bir, dyshohet se janë vrarë me armë zjarri, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë.

Sipas informacionit paraprak të Policisë së Shkodrës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:20. Viktimat janë shtetasit me inicialet L. Gj. dhe P. Gj., ndërsa i plagosur rëndë ka mbetur shtetasi A. P.

Pas marrjes së njoftimit, drejt vendngjarjes janë nisur forca të shumta të Policisë Vendore dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave, dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve.

Policia vijon veprimet hetimore për të përcaktuar dinamikën dhe motivet e ngjarjes së rëndë.

/e.xh/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›