E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy vatra zjarri aktive në Vlorë, flakët përfshijnë Kriporen dhe kodrat e Kotit

Dy vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në territorin e qarkut Vlorë, duke vështirësuar situatën për shkak të temperaturave të larta dhe erës.

Një prej vatrave është shfaqur në zonën e Kriporës, pranë fshatit Panaja, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi të ulët dhe shkurre.

Në terren ndodhen shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së tyre në zona të tjera. Për momentin, zjarri vijon të jetë aktiv.

Një tjetër vatër është regjistruar në kodrat e fshatit Kot, në bashkinë Selenicë. Flakët po përhapen në terren dhe kanë përfshirë edhe sipërfaqe me ullishte.

Era dhe temperaturat e larta po favorizojnë përhapjen e zjarrit, duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen e forcave në terren. Zjarri është i dukshëm edhe nga distanca, ndërsa zjarrfikësit e Selenicës po punojnë për izolimin dhe shuarjen e tij.

Autoritetet vijojnë monitorimin e të dyja vatrave, ndërsa forcat zjarrfikëse mbeten të angazhuara për të shmangur përhapjen e flakëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›