E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, ferma në Lushnjë zgjeron tufën në 1600 krerë

TIRANË, 28 shtator /ATSH/ Një fermë blegtorale në Lushnjë synon të dyfishojë kapacitetin, nga 800 në 1600 krerë, përmes investimeve në mekanizim dhe teknologji të reja, duke përfituar nga programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” që mundëson kreditë me kushte lehtësuese për sipërmarrjet bujqësore e blegtorale.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla vizitoi fermën e Altinit dhe Shpëtimit, dy vëllezër nga Kukësi që kanë zgjedhur Lushnjën për të zhvilluar biznesin e trashëguar nga babai.

Sot, ata kanë rreth 800 krerë të imta dhe një sipërfaqe prej rreth 100 hektarësh tokë, ku kultivojnë produkte bujqësore, një pjesë e të cilave shërben edhe për ushqimin e blegtorisë.

Njëri prej vëllezërve bëri të ditur se synimi i tyre është zgjerimi dhe modernizimi i fermës, përmes blerjes së një makinerie mjelëse dhe pajisjeve të tjera teknologjike, që do të ndihmojnë në standardizimin e proceseve, rritjen e produktivitetit dhe përmirësimin e cilësisë së prodhimit.

Aktualisht, ferma siguron prodhim qumështi, ndërsa me rritjen e numrit të krerëve sipërmarrësit synojnë të zgjerojnë aktivitetin edhe në prodhimin e mishit.

Ministri Salla theksoi se mbështetja për sipërmarrjet bujqësore dhe blegtorale është pjesë e programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, një nismë me fond prej 2 milionë eurosh dhe kushte lehtësuese për investime.

“Do t’i asistojmë në çdo hap, që pasionin dhe punën e tyre ta kthejnë në një sipërmarrje edhe më të madhe”, u shpreh Salla.

Programi synon të ndihmojë fermerët dhe sipërmarrësit në zgjerimin e aktiviteteve të tyre përmes investimeve në kapacitete prodhuese, mekanizim dhe teknologji, duke kontribuar në rritjen e prodhimit dhe modernizimin e fermave shqiptare.

1 nga 7

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›