E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyfishohet kapaciteti i Hemodinamikës në Spitalin “Shefqet Ndroqi”, tashmë me dy salla moderne

Hemodinamika e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi” është rikonstruktuar tërësisht, duke ofruar tashmë ambiente moderne dhe të përshtatura për shërbimin ndaj pacientëve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën me dije se nga një sallë hemodinamike, tashmë spitali disponon dy salla tërësisht të reja dhe moderne: salla ekzistuese e rikonstruktuar plotësisht dhe salla e dytë, e re, e pajisur me aparaturë të re angiografie.

Investimi në infrastrukturë dhe teknologji synon të mundësojë një shërbim më të shpejtë dhe më të organizuar, si dhe rritjen e kapaciteteve për ndërhyrjet koronare.

Sipas të dhënave të bëra publike nga spitali, kapaciteti i ri mundëson realizimin e deri në 20 ndërhyrjeve koronare në ditë.

Ky zgjerim synon t’u krijojë më shumë pacientëve mundësinë për të përfituar në kohë nga trajtimi i nevojshëm, duke përmirësuar njëkohësisht kushtet dhe teknologjinë e ofrimit të shërbimit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›