Dyndje vizitorësh gjatë fundjavës në Kalanë e Krujës

TIRANË, 20 maj/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, shpërndau përmes rrjeteve sociale një video nga fundjava në Krujë. Pamjet tregojnë një numër të madh vizitorësh të cilët kanë qenë në kalanë e Krujës e që kanë vizituar Muzeun “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.
Qyteti i Krujës, një destinacion i trashëgimisë kulturore, vitet e fundit ka regjistruar rekorde vizitueshmërie, nga vendas e të huaj. Një pjesë e madhe turistësh që vijnë në Shqipëri, kanë tashmë në itinerarin e tyre edhe Krujën: pazarin karakteristik si dhe muzetë e saj.
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së Hershme, Principatat Shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.
Së fundmi muzeu Etnografik i Krujës është restauruar dhe përmirësuar me teknologjinë më të fundit nga programi i Bashkimit Evropian “EU4Culture”, me mbështetjen e një ekipi të konservimit nga Instituti i Konservimit në Universitetin e Arteve të Aplikuara në Vjenë, krahas specialistëve shqiptarë të angazhuar në procesin e restaurimit dhe rijetësimit të monumentit.
Në mjediset e brendshme dhe të jashtme të muzeut ekspozohen një pamje e plotë e zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe mënyra e jetesës së popullsisë mbi 300 vite më parë.