E Ngarkuara me Punë e SHBA vizitë në SPAK, VanHorn: Diskutuam me Altin Dumanin për punën e guximshme të SPAK dhe BKH!

E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn, zhvilloi sot një takim me kreun e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani.
Në postimin e Ambasadës së SHBA, thuhet se Nancy VanHorn dhe Kryeprokurori i Posaçëm i SPAK, Altin Dumani, u takuan sot për të diskutuar punën e guximshme të SPAK dhe BKH në bashkëpunim me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit për të luftuar krimin e organizuar, terrorizmin dhe trafikun e drogës.
Më tej thuhet se u diskutua në takim edhe vizita e Dumanit pak kohë më parë në SHBA ku u u takua me zyrtarë të administratës Trump në DASH dhe Departamentin e Drejtësisë.
“Ata diskutuan gjithashtu edhe mbi takimet e fundit të Z. Dumani në Uashington me zyrtarë të Administratës Trump në Departamentin e Shtetit dhe në Departamentin e Drejtësisë.” – bëhet e ditur në njoftim.
Shtetet e Bashkuara janë krenare që bashkëpunojnë me SPAK në përparësitë tona të përbashkëta për të goditur organizatat e rrezikshme kriminale ndërkombëtare që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe të Shqipërisë.
Më herët gjatë ditës, e Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, mori pjesë në një aktivitet të organizuar në nder të Ditës së Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, ku theksoi se drejtësia nuk duhet të mbetet thjesht një fjalë, por të jetë një realitet për çdo qytetar shqiptar.
Në fjalën e saj, VanHorn u bëri thirrje gjyqtarëve, prokurorëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile që të mbrojnë drejtësinë, transparencën dhe llogaridhënien, duke vepruar si rojtarë të të drejtave të qytetarëve dhe duke forcuar besimin mes institucioneve dhe popullit.
Ajo theksoi se ky angazhim kërkon guxim për të marrë vendime të vështira, për të qëndruar të palëkundur përballë trysnisë dhe për të luftuar korrupsionin.
/rtsh.al/