E çuditshme në Vorë, bashkia ju shpërndan ujë banorëve të dy fshatrave me autobot

Prej më shumë se dy javësh banorët e fshatrave Muçaj e Shargë në Bashkinë e Vorës janë pa ujë të pijshëm. Kjo situatë është e përsëritur per këto dy fshatra pasi herë pas here mbeten pa furnizim me ujë ndërsa ende nuk e dinê se kush e ka fajin.
Banorët nuk marrin asnjë përgjigje nga autoritetet vendore ndonëse kanë mbetur pa ujë të pijshëm. Banorët që denoncojnë rastin thanë se pas 15 ditësh mungesë uji, sot bashkia ka dërguar një autobot për t’i furnizuar.
Për ta kjo nuk është zgjidhje por tallje pasi nevojat për ujë janë më të mëdha se ato që ofron bashkia.
Banorët e fshatrave Muçaj e Shargë gjatë gjithë vitit kanë probleme me furnizimin me ujë ku në shumë raste ndërprerja shkon më shumë se një muaj.
Nuk dihet nëse bashkia do t’i tarifojë banorët të cilët aktualisht po i furnizon me autobot, ndërsa vetë banorët shprehen se situata është bërë e bezdisshme.