E Shtunë, 31 Tetor 2026

E megjithat

• Blendi KajsiuNë një replikë me shkrimin tim “Ngërçi politik i PD-së”, zoti Aldo Bumçi më akuzon se në atë shkrim unë nuk argumentoj dhe nuk jap asnjë fakt se përse qeverisja e PD-së është e pasuksesshme. Zoti Bumçi ka tërësisht të drejtë. Artikulli merret pak ose aspak me qeverisjen e PD-së. Por kjo për faktin e thjeshtë, se nuk është ky qëllimi i artikullit në fjalë. Argumenti kryesor është se në qeverisjen e PD-së nuk mund të ketë ndonjë riformatim cilësor, pasi si PD-ja, edhe qeverisja e saj, janë njehsuar tërësisht me udhëheqësin Berisha. I vetmi ndryshim cilësor që mund të bëhet në qeverisjen e PD-së është ndërrimi i kryeministrit dhe jo i ministrave të veçantë. Por kjo nuk mund të ndodhë, sepse Berisha, PD-ja dhe Qeveria janë një trinitet unik. Pikërisht ky argument nuk kontestohet, çka e më bën të besoj se zoti Bumçi ndan të njëjtin mendim me mua. Thelbi i çështjes nuk është a duhet riformatuar apo jo qeverisja, por a mund të riformatohet ajo në mënyrë cilësore. Përgjigja ime është jo. Nëse zoti Bumçi mendon të kundërtën, atëherë ai duhet ta argumentojë këtë. Së pari, ai duhet të argumentojë se PD-ja nuk është reduktuar në një shëmbëlltyrë të Berishës, se aty ka plot figura të profilit edhe më të lartë politik se Bamir Topi, Besnik Mustafaj apo Spartak Ngjela, me një identitet të qartë politik dhe përfaqësues përtej hijes politike të zotit Berisha. Duhet argumentuar se KOP-i është një institucion aktiv në PD, që prodhon dhe orienton politikat e PD-së, se të rikthyerit kanë protagonizëm politik, e kështu me radhë. Të gjitha këto anashkalohen nga z. Bumçi, i cili argumenton se premisa ime, se qeverisja e PD-së është e konsumuar është e rreme, pasi unë nuk argumentoj se përse qeverisja e PD-së është e pasuksesshme.  Por këtu lind një tjetër problem, pasi në artikullin tim thuhet qartë që një qeverisje edhe po të jetë e suksesshme konsumohet, duke marrë si shembull Tony Blair. Është një e drejtë e zotit Bumçi të mendojë se Berisha është një politikan i një rendi edhe më të lartë sesa Tony Blair. Shumë të tjerë para tij e kanë menduar këtë për të tjerë politikanë shqiptarë, të paktën që nga Enver Hoxha e këtej. Ky është një opinion që unë nuk e ndaj, duke argumentuar se PD-ja ka humbur betejën e saj themelore anti-korrupsion. Natyrisht kjo nuk argumentohet në artikullin tim, pasi nuk është ky qëllimi i artikullit, por diçka e tillë është argumentuar deri në mërzi në mediat kryesore, nga analistë të majtë dhe të djathtë.       Nuk dua të mërzis këtu as zotin Bumçi dhe as lexuesin me statistikat e “Transparency International” apo të “Freedom House”, që tregojnë se pas një përmirësimi të lehtë në vitin 2006, nivelet e larta të korrupsionit nuk janë ulur më në vitin 2007. Shqipëria mbetet një nga vendet me nivelin më të lartë të korrupsionit në rajon. Nuk dua të merrem as me raportet e BE-së dhe as me ato të KLSH-së, që flasin për abuzime të një rendi të njëjtë, në mos më të madh se sa ai i administratës socialiste. Nuk ia vlen të merremi as me akuzat për korrupsion dhe nepotizëm brenda të djathtës, apo me rrugën Durrës–Kukës. Të gjitha këto, zoti Bumçi, mund t’i hedhë poshtë me neveri si thashetheme apo keqperceptime. Dhe mund të ketë të drejtë, pasi korrupsioni më shumë sesa çdo gjë tjetër është perceptim popullor. Problemi është se, sikurse e tregon sondazhi më i fundit i “Transparency International”, ky perceptim mbetet tejet i lartë te qytetarët. Në fund të fundit është elektorati ai që e përcakton nëse anti-korrupsioni i PD-së ka qenë apo jo i suksesshëm. Dhe verdikti i elektoratit mbi anti-korrupsionin e PD-së u reflektua në zgjedhjet lokale të 2007-ës. Natyrisht edhe këtu zoti Bumci do deklarojë në kor me zotin Berisha, që zgjedhjet lokale të 2007-ës ishin një fitore plebishitare e PD-së. Megjithatë fakti mbetet se PD-ja humbi pikërisht në qendrat kryesore urbane si Tirana, apo edhe Durrësi, ku fushata e saj u bazua në akuza për korrupsion ndaj ish-kryebashkiakëve socialistë. Rama, më i akuzuari për korrupsion, korri një fitore të thellë në Tiranë, çka do të thotë se në kryeqytet, aty ku edhe korrupsioni është në nivelet më të larta, fushata antikorrupsion e PD-së dështoi.  E thënë ndryshe, në Tiranë, aty ku korrupsioni është më i prekshëm dhe më voluminoz, elektorati në shumicën e tij nuk e votoi alternativën anti-korrupsion të PD-së. Edhe për faktin se aleatët kryesorë të PD-së u bënë ish-padrinot.Kjo na bën të besojmë se anti-korrupsioni i PD-së mund të jetë i suksesshëm vetëm aty ku nuk ka korrupsion, çka e bën të pakuptimtë vetë anti-korrupsionin. Natyrisht edhe në këtë pikë zoti Bumçi mund të mos jetë dakord. Dhe mbase edhe në vitin 2009, PD-ja do shkojë në zgjedhje me një tjetër fushatë anti-korrupsion. Mbetet për t’u parë sesa e suksesshme do të jetë kjo fushatë. Gjithsesi ajo do të përbënte një ofertë të vjetër politike, çka është pikërisht edhe konkluzioni i artikullit tim.     Në këtë pikë, zoti Bumçi do të protestonte duke argumentuar se unë përsëri nuk po merrem me analizën e qeverisjes. Sipas tij: “Çdo analizë domosdoshmërish duhet të përqendrohet në mënyrën se si po qeveris PD-ja së bashku me aleatët e saj, çfarë politikash ka zbatuar dhe cilat janë rezultatet konkrete në secilën fushë”. Por kjo është diçka që unë dhe të tjerë e kemi bërë prej kohësh, jo në një, por në shumë artikuj. Është folur shumë, brenda dhe jashtë të djathtës, për krizën e përfaqësimit të PD-së që reflektohet në dështimin dhe fragmentizimin e politikave të saj qeverisëse, që deri tani nuk kanë kënaqur asnjë grup social, majtas apo djathtas.  Pronarët legjitimë mbeten akoma ish-pronarë, nga njëra anë ata deklarohen prioritet, nga ana tjetër buxheti prej 3 milionë eurosh që caktohet për ta është shumë më pak se 30 milionë dollarë që jepen si shpërblim barazitist për pensionistët. I hapur mbetet edhe problemi i të persekutuarve politikë, i bujqësisë apo i zonave informale. Raportet me biznesin mbeten problematike; nga njëra anë flitet për mbështetje, nga ana tjetër miratohen ligje gjobash apo nivele të TVSH-së pa u konsultuar aspak me sektorët përkatës. Pa folur këtu për krizën energjetike. Rritja e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (PPB) edhe sipas shifrave zyrtare, akoma mezi arrin 6 përqindëshin legjendar të qeverisë së fundit Nano, dhe teksa inflacioni rritet, fuqia blerëse bie. Sukseset në mbledhjen e të ardhurave në dogana nuk përkthehen në investime publike, duke e ulur më tej fuqinë blerëse. Universitetet publike vazhdojnë të njëjtën mënyrë keqfunksionimi si gjatë 15 viteve të fundit, ndërsa kuadri ligjor për sektorin privat është ose i mangët, ose i munguar. Administrata publike vazhdon të popullohet me nepotizëm dhe klientelizëm. Provimet për në administratë që socialistët i bënin formalisht, tashmë janë harruar fare. Qytetarët akoma nuk mbarojnë punë në hipoteka, ndërsa kryetari i grupit të PD-së, sot që PD-ja është në vitin e tretë të qeverisjes, thotë se reforma në drejtësi ende po hartohet! Në këto kushte sfumohen edhe ato nisma të suksesshme, si matura shtetërore apo ndërtimi strategjik i rrugës Durrës–Kukës. Lista mund të vazhdojë gjatë, por për një argumentim të detajuar të çdo aspekti, z. Bumçi mund t’i referohet artikujve pa fund në shtypin e përditshëm. E megjithatë mbase zoti Bumçi ka të drejtë. Ndoshta vërtet Partia Demokratike ka arritur suksese pafund në qeverisje. Suksese që shumë ose nuk munden, ose nuk duan t’i shikojnë. Nëse sukseset e PD-së janë kaq të mëdha sa po i verbojnë njerëzit me shkëlqimin e tyre, atëherë mbase ato duhen reduktuar disi. Nëse sukseset janë aq të mëdha saqë ato shikohen dhe preken vetëm nga deputetët dhe ministrat e PD-së, atëherë është koha që nga këto suksese të përfitojnë edhe qytetarët. Në të dyja rastet duhet një ndryshim në qeverisje. Por për këtë duhet tejkaluar ngërçi politik i PD-së, që as zoti Bumçi nuk e konteston.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›