E Martë, 3 Nëntor 2026

E nisi për “pastrim”, i vuri flakën pyllit! Arrestohet 58 vjeçari në Shijak

Policia ka vënë në pranga një 58-vjeçar në Shijak, pasi dyshohet se është autori i zjarrit që përfshiu një sipërfaqe të pyllëzuar në fshatin Shetel, duke vënë në rrezik edhe banesat përreth.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 20:00, kur i dyshuari, shtetasi I. B., banues në fshatin Shetel, dogji mbeturina në tokën e tij, por zjarri i doli jashtë kontrollit për shkak të erës së fortë.

Flakët përfshinë një zonë të gjerë me sipërfaqe pyjore dhe rrezikuan seriozisht edhe disa banesa pranë vatrës së zjarrit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ku 58-vjeçari do të përballet me akuzën e “Shkatërrimit me zjarr të pyjeve ose mjedisit pyjor”, sipas nenit 206/a të Kodit Penal.

Policia apelon që qytetarët të shmangin veprimet që mund të shkaktojnë zjarrvënie të qëllimshme ose nga pakujdesia, duke rrezikuar jetën, pronën dhe mjedisin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›