E Diel, 1 Nëntor 2026

E rëndë/ 19-vjeçari plagos aksidentalisht me pistoletë shokun 17-vjeçar, arrestohen 3 të rinj

Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë natës, ku një 17-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri, pasi shoku i tij 19-vjeçar dyshohet se e ka qëlluar aksidentalisht me pistoletë.

Sipas Policisë, rreth orës 01:40, pas njoftimit për plagosjen e një të mituri në rrugën “Berit Beker”, shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave.

Nga hetimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur në banesën e shtetasit R. S., 19 vjeç. I riu po i tregonte armën e zjarrit shokut të tij dhe, duke menduar se pistoleta nuk kishte fishek në fole, e ka shkrepur aksidentalisht, duke plagosur 17-vjeçarin.

Pas ngjarjes, Policia ka vënë në pranga 19-vjeçarin R. S., i cili akuzohet për veprat penale:

  • “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”;
  • “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
  • “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Gjithashtu janë arrestuar edhe dy shtetas të tjerë, A. V., 20 vjeç dhe H. H., 22 vjeç, të akuzuar për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Policia bëri me dije se arma e zjarrit pistoletë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

17-vjeçari i plagosur ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›