E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

EMRAT/ U arrestuan nga policia greke për vrasjen e shqiptarit në Athinë, zbulohet identiteti i dy shqiptarëve

Janë zbuluar emrat e dy shqiptarëve të arrestuar për vrasjen e Irakli Davellës dhe plagosjen e Edi Lulos alias Etmond Hysa në 15 dhjetor 2024 në Thermomakedonon në Athinë.

Ata janë Jenis Tulja, 44 vjeç nga Tirana dhe Mirjan Guveli 45 vjeç nga Saranda. Arrestimi i tyre është bërë në një operacion të zhvilluar njëkohësisht në dy banesa në lagjet “Nea Smyrni” dhe “Peristeri” të Athinës, ku mësohet se është sekuestruar edhe një armë zjarri.

Në 15 dhjetor 2024, pasi kanë hapur zjarr në Thermomakedonon ndaj 47-vjeçarit Irakli Davella dhe 46-vjeçarit Edi Lulo alias Etmond Hysa, dy të dyshuarit janë larguar me një automjet “Renault” Kadjar të cilit i kishin vendosur targa false. Pas vrasjes mjetin e kanë parkuar në një park në Nea Smyrni.

Policia ka zbuluar mjetin dhe e ka mbajtur në mbikëqyrje. Disa ditë më pas, dy persona janë afruar dhe kanë ndërruar targat e mjetit si dhe kanë lyer me klor kabinën e mjetit. Gjatë kohës që kanë qenë nën vëzhgim nga policia, njëri nga dy të dyshuarit ka udhëtuar 5 herë drejt Shqipërisë.

Mësohet se të dyshuarit nuk kanë lidhje me viktimat çka i bën hetuesit grekë të dyshojnë se ata janë vrasës me pagesë.

/ abcnews.al

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›