EMRAT/ Urdhër nga SPAK, policia kryen arrestimet për inceneratorin e Tiranës

Pas 3 vitesh hetime, SPAK goditi koncesionin e inceneratorit të Tiranës, duke prerë 15 urdhër-arreste.
Operacioni i nisur prej mbrëmjes së te premtes vijon ende dhe deri tani janë vënë në pranga katër prej të akuzuarve nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, ndërsa gjashtë të tjerë janë lënë në arrest shtëpie.
Mësohet se janë ndaluar Namik Samixhiu, ish-anëtar i Komisionit të Prokurimit të Inceneratorit të Tiranës, Bledar Karoli, drejtor i infrastrukturës në Bashkinë Tiranë dhe Jetmir Llapaj, ndërsa Taulant Tanushi, drejtor i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës është vetëdorëzuar.
SPAK ka firmosur urdhër-arrest edhe për Erjon Muratajn, anëtar i Komisioni Prokurimit për Inceneratorin e Tiranës, por ai, sipas burimeve, ndodhet jashtë vendit dhe është shpallur në kërkim.
Për inceneratorin e Tiranës SPAK ka ngritur akuza edhe ndaj Lefter Kokës e Alqi Bllakos, të cilët ndodhen pas hekurave për inceneratorin e Fierit, ndërsa Mirel Mërtirit dhe Klodian Zoto janë prej kohësh në arrati.
Këta të fundit sipas SPAK janë pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare që operon me kontratën e inceneratorit të Tiranës. Më 1 gusht, kur SPAK urdhëroi sekuestron e djegësit të Tiranës, arriti në përfundimin e Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarë “de facto”./vizionplus.tv/