E Diel, 1 Nëntor 2026

EMRI/ 700 euro për 5 ditë leje, GJKKO jep vendimin për ish shefin e Regjimit në Burgun e Lushnjes

Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) ka dhënë sot vendimin mbi ish shefin e Regjimit në Burgun e Lushnjës, Irakli Leka, i akuzuar se merrte para në këmbim të dhënies së lejes së përkohshme për të burgosurit.

Irakli Leka u ekspozua në emisionin investigativ “Stop” teksa merrte 700 euro në këmbim të lejes 5 ditore për një të burgosur.

Sipas njoftimit të Gjykatës, Leka është dënuar fillimisht me 3 vjet e 3 muaj burgim, më pas duke përfituar 1/3 e uljes së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar në 2 vjet e 2 muaj dhe në përfundim vënie në provë  për një periudhë kohore 2 (dy) vjet, me kusht që gjatë kohës së provës i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale dhe gjatë kësaj kohe.

Njoftimi

  1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Irakli Leka”.
  2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit,

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Flojera Davidhi, Atalanta Zeqiraj dhe Marinela Osmani, me vendimin nr.

16, datë 16.02.2026 vendosi:

  1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Irakli Leka për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259, paragrafi dytë të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet e 3 (tre) muaj burgim.
  2. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, të pandehurit Irakli Leka i zbritet 1/3 e masës së dënimit me burgim, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet e 2 (dy) muaj burgim.
  3. Në zbatim të nenit 59 të K.Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin Irakli Leka për një periudhë kohore 2 (dy) vjet, me kusht që gjatë kohës së provës i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale dhe gjatë kësaj kohe I pandehuri detyrohet të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij.
  4. Bazuar në nenin 261 dhe 389 të Kodit të Procedurës Penale duke qenë se dënimi me burgim u pezullua me kusht, konstatohet shuarja e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj të pandehurit Irakli Leka, me vendimin nr. 94, datë 19.09.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë.
  5. Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Irakli Leka, për një periudhë kohore prej 5 (pesë) vjet.
  6. Në aplikim të nenit 190, pika 1, gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale provat material të sekuestruara:

 aparati celular i markës “Iphone”, me ngjyrë të zezë, me nr. IMEI ****, dhe një kartë SIM e kompanisë “Vodafone”, me nr. tel. ****, t’i kthehen të pandehurit Irakli Leka, ndërkohë, Një USB e markës “Verbatim”, me ngjyrë të zezë, me nr. ****, në të cilën është ngjitur një letër e bardhë me mbishkrimin “Proc.Penal Nr. 179/2025”, në të cilën ndodhet akti i ekspertimit kompjuterik;

Një DVD e markës “Verbatim”, me ngjyrë gri, me mbishkrimin me shkrim dore me ngjyrë të kuqe “STOP 16.09.25”, administruar me këqyrje dhe marrje nga drejtuesi i emisionit “STOP”, të mbeten pjesë e dosjes gjyqësore.

  1. Në mbështetje të nenit 485/3 të K.Pr.Penale, shpenzimet procedurale dhe ato gjyqësore sipas formularit bashkëlidhur, i ngarkohen të pandehurit.
  2. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi të arsyetuar.

Tiranë, më datë 16.02.2026

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›