EMRI/ Kapet në SHBA i shumëkërkuari shqiptar, i dënuar për tre vrasje në Shqipëri dhe Belgjikë

Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Globi”, si rezultat i një bashkëpunimi të gjerë ndërkombëtar mes Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Departamentit të Policisë Kriminale, Interpol Tiranës, Interpol Uashingtonit, Interpol Mançesterit dhe Interpol Brukselit.
Në kuadër të këtij operacioni, është arrestuar në Ohio, SHBA, shtetasi shqiptar Sokol Hoxha, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar në Shqipëri me 25 vjet burg dhe në Belgjikë me burgim të përjetshëm për vrasje.
I arrestuari akuzohet se në mars të vitit 1997 ka vrarë dy vëllezër në Patos, ndërsa disa muaj më pas ka vrarë në Belgjikë një shtetase shqiptare, të cilën më parë e kishte shfrytëzuar për prostitucion.
Sipas Policisë së Shtetit, operacioni është realizuar në bashkëpunim të ngushtë mes Njësisë Speciale të Policisë Kriminale, Interpol Tiranës dhe partnerëve ndërkombëtarë në SHBA dhe Europë, si dhe agjencive të tjera ligjzbatuese, përfshirë edhe Marshallët Amerikanë.
Autoritetet shqiptare po vijojnë bashkëpunimin me homologët në SHBA për ekstradimin e 51-vjeçarit në Shqipëri, ku ai pritet të përballet me drejtësinë.