E Diel, 1 Nëntor 2026

EMRI/ Lëvizte i armatosur në fshat, arrestohet 22-vjeçari në Tiranë

Një tjetër operacion i suksesshëm i Policisë së Tiranës është finalizuar me arrestimin e një 22-vjeçari që lëvizte i armatosur, duke rrezikuar sigurinë publike.

Operacioni policor i koduar “Village”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 1, çoi në pranga shtetasin Redian Rrumbullaku, banues në fshatin Krrabë, Tiranë.

I riu u kap pas administrimit të shpejtë të një informacioni të siguruar në rrugë operative. Gjatë kontrollit fizik, në çantën e tij u gjet një pistoletë me municion luftarak, të cilën e mbante pa leje.

Burime zyrtare bëjnë me dije se 22-vjeçari tentoi të largohej sapo pa shërbimet e Policisë, por u neutralizua menjëherë nga forcat operacionale.

Arma e zjarrit dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.

Policia thekson se operacionet për kapjen e personave që qarkullojnë të armatosur do të vijojnë pa ndërprerje.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›