EURO2024 – Kontrollet kufitare parandalojnë 900 hyrje të paautorizuara

BERLIN, 16 qershor /ATSH-DPA/ – Kontrollet e përkohshme të vendosura në të gjithë kufijtë gjermanë për turneun Euro 2024 kanë parandaluar tashmë rreth 900 hyrje të paautorizuara në vend brenda një jave, tha ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser.
Fraser i tha tabloidit ”Bild am Sonntag” se 173 urdhërarreste ishin ekzekutuar gjithashtu gjatë asaj periudhe.
Gazeta raportoi se 1 400 hyrje të paautorizuara u zbuluan gjatë kontrolleve midis 7-13 qershorit dhe rreth 900 njerëz u ndaluan të hynin në vend.
“Kjo tregon se masat tona janë efektive. Ne duam të njohim dhe ndalojmë shkelësit e dhunshëm, në veçanti, sa më herët që të jetë e mundur”, i tha Faeser gazetës.
Gjatë kampionatit evropian të futbollit i cili filloi të premten, 22 000 oficerë të policisë federale gjermane po vendosen çdo ditë për të garantuar sigurinë.
Sipas Faeser, ky është “dislokimi më i madh në historinë e policisë federale”.
“Ata do të mbrojnë kufijtë tanë, aeroportet dhe trafikun hekurudhor”, tha ajo.
Kontrollet e përkohshme do të jenë në të gjithë kufijtë deri më 19 korrik./ a.jor.