E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe një shpërthim në Mitrovicë

(E plotësuar) Edhe një tjetër shpërthim ka ndodhur sot në veri të Mitrovicës. Policia nuk ka raportuar për persona të lënduar përveç dëme të vogla materiale në një veturë.

“Shpërthimi i dytë gjatë ditës së sotme është regjistruar rreth orës 14:40min, në rrugën “Xhon Kenedi” prapa një ndërtese banesore e cila është në riparim e sipër, përkatësisht përballë shkollës fillore “Branko Radiqeviq” në veri të Mitrovicës, ndërsa dëme të vogla materiale janë regjistruar në një automjet tip “Golf” të parkuar afër vendit të shpërthimit”, thotë zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, toger Besim Hoti.

Në bazë të raporteve të para policore të siguruara nga hetuesit policor mësohet se mjeti eksplodues i cili nën rrethana ende të pasqaruara ka shpërthyer, mund të jetë një granatë dore, e ngjashme me atë të rastit të parë të shpërthimit.

Ekspertët e njësisë për trajtim të mjeteve të improvizuara eksploduese të Policisë së Kosovës, të cilët kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, në rastin e parë të shpërthimit të sotëm, kanë konstatuar se mjeti shpërthyes, është një granatë dore, tip “M-52” prodhim jugosllav.

Policia është duke zhvilluar hetimet intensive për të zbuluar shkaqet dhe autorët e këtyre dy akteve kriminale të cilat nuk përjashtohen nga mundësia e ndërlidhjes në mes tyre ndërsa dyshohet se rasti mund të ketë qenë i nxitur mbi motive kriminale, të cilat dyshohet të jenë të motivuara rreth çështjes së përfitimit të tenderëve të personave si kontraktues për riparimin e ndërtesave në veri të Mitrovicës./Indeksonline/

----

Një shpërthim i granatës së dorës ka ndodhur sot rreth orës 10 e 30 minuta, në veri të Mitrovicës. Nuk është raportuar për persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar dëme të vogla materiale.

Toger Besim Hoti, zëdhënës rajonal i policisë në Mitrovicë, ka thënë se shpërthimi ka ndodhur në rrugën “Mbreti Petër”, prapa një ndërtese banesore përkatësisht përballë “ProCredit” bankës në veri të Mitrovicës, ndërsa dëme të vogla materiale janë regjistruar në sipërfaqen e jashtme të ndërtesës.

Në bazë të raporteve të para policore të siguruara nga hetuesit policor mësohet se mjeti eksplodues i cili nën rrethana ende të pasqaruara ka shpërthyer disa metra larg ndërtesës, përkatësisht në afërsi të vend ndaljes së autobusit të linjës lokale Mitrovicë – Zveçan.

Ai tha se, dyshohet se mjeti shpërthyes i aktivizuar në këtë rast, mund të jetë një granat dore.

“Policia është duke zhvilluar hetimet intensive për të zbuluar shkaqet, motivet dhe rrethanat e këtij akti kriminal derisa kryesit e mundshëm deri në këtë moment mbesin ende të panjohur”, ka thënë Hoti.

Rasti është regjistruar si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” ndërsa prokurori publik i prokurorisë së qarkut në Mitrovicë, është informuar lidhur me detajet e rastit të regjistruar./Indeksonline/

 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›