Edhe pas 48 orësh, PS s’e ka kuptuar ende mesazhin e Klintonit
Njëri nga të përdorurit e kohëve të fundit të Edi Ramës, doli dje dhe ribëri një variacion mbi temën e kushtëzimit të ligjeve të statusit me gllabërimin e Qarkut të Fierit. Deklaratat e Majkos mund të konsiderohen si gjysmë-zyrtare, sa kohë publiku ka marrë vesh se edhe pas 48 orësh, kryetari i PS-së ende s’e ka kuptuar mesazhin e Hillarri Klintonit
Apeli i Sekretares Amerikane të Shtetit, Hilari Klinton për përshpejtimin e kursit reformator të Shqipërisë, në mënyrë që vendi t’i bashkëngjitet familjes së madhe evropiane, s’është pritur mirë nga lidershipi i Partisë Socialiste. Kjo për faktin se në parlamentin shqiptar qëndrojnë prej disa muajsh 3 ligje me 3/5, të cilët presin votën konsensuale të Partisë së Edi Ramës.
Si të mos mjaftonin deklaratat publike të zonjës Klinton, fjalimi i saj emocional dhe frymëzues në Kuvend, Sekretarja Amerikane i rezervoi një takim kokë më kokë kreut të opozitës, Edi Rama për t’ia thënë në sy këtij të fundit se, qëndrimet refraktare të opozitës që ai drejton, po bëhen pengesë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. S’do mend të kuptohet se zotimi i Ramës për ta justifikuar çështjen dhe hedhur akuza në drejtim të mazhorancës, kanë si tentativë ta largojnë atë personalisht nga ‘roli i bllokatorit’, por në fakt kushtëzimi i integrimit për një çështje provinciale (siç është kryetari i Qarkut të Fierit) që s’i intereson të gjithë shqiptarëve dhe as nuk mund të quhet çështje e interesit kombëtar, nxjerr zbuluar të gjithë planin e brezit të dytë të nomenklaturës komuniste, për të lënë Shqipërinë pa statusin e kandidatit, për të tretin vit radhazi. Sigurisht që deklarata e Komisionerit Fyle për t’i rekomanduar vendeve anëtare të BE-së dhënien Shqipërisë të Statusit, s’është pritur me optimizëm në ngrehinën socialiste, pasi pasardhësit e Enver Hoxhës janë dhe mbeten koshientë për impenjimin e Partisë Socialiste në 3 ligjet e mbetura, të cilët kërkojnë edhe votat e saj. Votimi i këtyre ligjeve, do ta nxirrte PS-në nga natyra e saj e vërtetë; ajo e bllokimit, izolimit dhe prapambetjes së Shqipërisë.
48 orë pas vizitë së Klinton në Tiranë, Partia Socialiste dhe Edi Rama ende s’e kanë kuptuar mesazhin e saj. Edhe pse, fjalimi në Kuvend, takimet me Presidentin Nishani, kryeministrin Berisha dhe madje edhe në takimin me vetë Rama, mesazhi ka qenë një dhe i vetëm; “interesat partiake prapa interesave kombëtare”. “Shpresoj që ju do mund të gjeni rrugën tuaj për bashkëpunim të sinqertë e të qëndrueshëm. Ruajini besimet e ndryshme politike, besoni që mund të jeni një udhëheqës më i mirë se sa tjetri. Politika kështu e ka. Nuk do merreshit me të nëse nuk do besonit këtë për veten. Por në fund, vendosja e interesave vetiake dhe interesave partiake prapa interesave kombëtare është ajo që iu kërkohet udhëheqësve demokratikë. Shqipëria dhe populli shqiptar meritojnë një vend në familjen evropiane të kombeve. Kjo është diçka jo vetëm për të mirën tuaj, por do ta bënte këtë kontinent më të paqtë e të sigurt. Por që kjo të ndodhë, muajt që vijnë paraqesin disa vendime kritike për ju që jeni në këtë sallë, për qeverinë tuaj dhe për popullin tuaj”, ishte në vija të përgjithshme mesazhi i Hilari Klinton në Kuvendin e Shqipërisë.
Por çfarë qëndrimi mbajti dhe po mban Partia Socialiste? Jo më larg se dje, ish kryeministri Pandeli Majko u shpreh pa drojë e turp se, opozita s’do japë miratimin për 3 ligjet e mbetura, deri në zgjidhjen e qarkut të Fierit! “Në një mënyrë apo tjetër historia e shumë të metave lidhet me historinë e shumë të metave që ka kaluar ky vend. Nëse respektojmë ligjin, nëse respektojmë vendimin e gjykatave, mendoj se kjo do të prodhojë dhe një histori me pozitive se më parë”, tha dje Majko.
Zhvillimet e pritshme nga ngrehina socialiste s’pritet të jenë pozitive, veçse përpos dominimit të injorancës dhe kokëfortësisë për t’i parashtruar çështjet sipas interesit personal dhe partiak të Edi Ramës, së pari është një kosto e rëndë politike, në radhë të parë për vetë fatet e tij politike. Dhe së dyti, përmes kësaj strategjie bllokuese, Partia Socialiste ecën e sigurt drejt një izolimi ndërkombëtar, si faktor negativ që dëmton interesat kombëtare të vendit.
Gjithsesi, pa shumë komente dhe arsyetime; dalja emergjente e Edi Ramës në konferencë për shtyp, pas takimit disa minutash me Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hilari Klinton dhe nxitimi për ta cilësuar atë si moment ‘ankesash’ sesa vlerësimi i kontributit reciprok mes dy shteteve dhe dy kombeve; meritat e progresit evropian të Shqipërisë apo dhe implementimi i detyrimeve të integrimit; tregon qartë mendësinë e cekët dhe provincializmin politik të Edvinit.