E Hënë, 2 Nëntor 2026

Edhe simotra e Lapajt pa mandat – KAS bën deputete Ana Dajkon, te PD mandatin e Durrësit e mban Ndoja

Debati se kujt i takon mandati i gjashtë i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, Arjan Ndojës apo Andia Ullirit, u ngrit në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), që përfaqëson shkallën e dytë të shqyrtimit pas Komisionerit Shtetëror.

Zonja Andia Ulliri mbeti e pakënaqur nga vendimi i Celibashit, i cili, duke lexuar ligjin, tha se mandati i takon ish-prokurorit Ndoja dhe jo asaj. Duke mbajtur në deklarata publike këtë qëndrim, administrata e KQZ-së thotë se një në tre deputetë të të gjithë listës fituese duhet të jetë grua. Pra, numri një është Oerd Bylykbashi në rastin e Durrësit, pastaj numri dy Artan Luku, numri tre Manjola Luku, dhe deri këtu kërkesa e ligjit për kuotën gjinore, sipas KQZ-së, është respektuar. Madje, shtohet për sqarim publik se në fillim renditen kandidatët e listës së fiksuar, ku respektohet kuota gjinore, dhe më pas rirenditen ata që iu nënshtruan votimit pëlqyes.

Ndërsa avokati i znj. Ulliri e lexoi renditjen e kandidatëve në mënyrë statistikore, që për anëtarët e KAS dilte jashtë kuptimit ligjor. Sipas ankuesit, lista fituese duhet të niste me numrin një, Oerd Bylykbashi dhe numri gjashtë, Andia Ulliri. Në përfundim të debatit ku u përfshi edhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese, pesë anëtarët e KAS-it lanë në fuqi fituesin e gjashtë, ish-prokurorin Arjan Ndoja.

Në një seancë tjetër, KAS-i shqyrtoi edhe pretendimin e Partisë “Lëvizja Shqipëria Bëhet”, e cila kërkon që deputet fitues në Tiranë të shpallet Adriatik Lapaj dhe jo Kleana Xhuveli, siç vendosi Ilirjan Celibashi. Deklarimet e përfaqësuesve të kësaj partie politike u cilësuan disa herë të papërputhshme me parashikimet ligjore, madje nuk munguan komentet e anëtarëve të KAS nëpërmjet pyetjeve… “ju po i kërkoni kësaj zonjës të dorëhiqet… që ta marrë një tjetër…?”

Ilirjan Rusmali argumentoi gjatë shqyrtimit ligjor se Lëvizja Bashkë ka detyrim të dorëzojë emrat e 186 kandidatëve që të regjistrohet në zgjedhje, duke nënkuptuar se dorëheqjet e tyre në grup janë së pari pabesi ndaj elektoratit dhe së dyti me dorëheqjet është zvogëluar numri i kandidatëve, që është i detyrueshëm për një parti që të marrë pjesë në zgjedhje.

Në përfundim të shqyrtimit administrativ, KAS-i jo vetëm që nuk e bëri Adriatik Lapajn deputet, as Kleana Xhuvelin që kishte shpallur KQZ, por rrëzoi si të panjohura për ligjin dorëheqjet në grup të kandidatëve të kësaj partie dhe bëri deputete Ana Dajkon, të parën e listës së mbyllur të “Shqipëria Bëhet”.

“Pra, PSD-së i pranohen dorëheqjet dhe mandati kalon te lista e hapur. Neve jo që jo! Për ne zbatohet tjetër ligj se ne jemi Gulag. Jam aq shumë krenar që luftoj për garën e hapur! Do vijë dita e asaj që po kërkojmë. Një ditë ky vend do ketë garë”, reagoi z. Lapaj pas vendimit të KAS-it.

Gazetare: Sonila Agostini

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›