Edi Rama: Reagimi i prokurores Gjeli, ese filozofike

Kryeministri Edi Rama e cilësoi si “ese filozofike” argumentimin e prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli, mbi mosfillimin e hetimeve për ato që Policia e Shtetit dhe qeveria i konsideron ndërtime të paligjshme në zonën turistike të Thethit.
Në takimin e zhvilluar me kryetarët e bashkive në qytetin e Durrësit, kryeministri Rama ka sjellë në vëmendje aksionin e nisur ditët e fundit për shembjen e këtyre ndërtimeve. Duke iu referuar zhvillimeve në Theth, ai u shpreh se “në muajt para dhe gjatë zgjedhjeve ka pasur një bum ndërtimesh, si rezultat edhe i përgatitjes për sezonin e ri turistik”.
Ai vuri në dukje se janë kryer rreth 40 denoncime nga Policia e Shtetit për këto ndërtime por nuk ka funksionuar sipas tij prokuroria, ndërsa solli në vëmendje rastin e prokurores së Shkodrës Elsa Gjeli.
“Jo një, por rreth 40 denoncime janë bërë nga Policia e Shtetit për këto ndërtime. Pra, në një aspekt Policia e Shtetit ka funksionuar. Struktura e Policisë ka denoncuar ndërtimet pa leje në prokurori siç është bërë e ditur publikisht në një rast të një flagrance spektakolare nuk është ndërtuar thjesht një ngrehinë por është ndërtuar një fshat i tërë turistik në mes te Thethit, prokuroria ose më saktë një prokurore me mbiemrin Gjeli ka vendosur mosfillimin e hetimit.
Pra, ka refuzuar të shohë se për çfarë bëhet fjalë dhe ka bërë një ese filozofike mbi pafajësinë e ndërtimit pa leje. Ndërkohë që ndërtimi pa leje në Republikën e Shqipërisë është vepër penale. Ndërtimi pa leje në një zonë si Thethi është një vepër penale edhe më e rëndë”, tha Rama.
Sipas Ramës, IKMT-ja dhe policitë bashkiake janë dy hallkat më të dobëta të cilat nuk bëjnë sa duhet kundrejt ndërtimeve pa leje.
“Nga ana tjetër, IKMT-ja ka filluar të veprojë por qoftë në Theth, qoftë në Vlorë, qoftë edhe në territore të tjera dobësia e madhe e Inspektoratit për mbrojtjen e territorit, Tirana për shembull ku ka një volum të madh të problematikave të zaptimit të përtej kufijve të të bërit biznes dhe qoftë policitë bashkiake, janë realisht struktura shumë problematike”, deklaroi Rama para kryetarëve të bashkisë.
Ai dha edhe një përgjigje mbi pyetjet se përse qeveria u kujtua tani për ndërtimet pa leje në vend, duke thënë se kjo është një betejë e përditshme nëse nuk funksionojnë të gjitha hallkat.
“Për të gjithë ata që thonë pse u kujtua tani e pse i lanë, dua të them se kjo është një betejë e përditshme nëse nuk funksionojnë të gjitha hallkat, nëse struktura e pavarur e drejtësisë nuk është në dispozicion të kësaj përpjekje dhe nuk është e gatshme të mbështesë zbatimin e ligjit por përkundrazi është një kullesë makaronash ku gjërat rrjedhin dhe pastaj faktet e kryera mbeten në territor, kjo është një përpjekje që do të duhet të shfaqet në këtë formë hera-herës derisa të gjithë ta ndajnë mendjen që nuk ka asnjë fitues duke bërë ndërtime pa leje”, shpjegoi Rama.
/rtsh.al/