Edi Rama: Vizitat në Gjermani dhe Estoni, hapa të rëndësishëm për të ardhmen europiane të Shqipërisë

Në episodin e radhës të podcastit të tij “Flasim”, kryeministri Edi Rama ndau detaje nga vizitat zyrtare në Gjermani dhe Estoni, duke i cilësuar ato si ndalesa të rëndësishme për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, sigurinë euroatlantike dhe procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Kryeministri tregoi se në Aachen të Gjermanisë mori pjesë në ceremoninë prestigjioze të “Çmimit të Karlit të Madh”, ku u nderua ish-presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, me çmimin “Karli i Madh 2026”. Rama e cilësoi këtë vlerësim si një nga më të rëndësishmit në Europë për kontributin në bashkimin dhe të ardhmen e kontinentit.
“Një vizitë në Gjermani dhe më pas në Estoni, dy ndalesa drejtpërdrejtë me të ardhmen Evropiane të Shqipërisë, me sigurinë euroatlantike dhe me vet momentin që po kalon Shqipëria në rrugën e saj të negociatave për anëtarësimin në BE. Në Aachen të Gjermanisë pata kënaqësinë dhe nderin të jem sërish pjesë e grupit të miqve të nderit të ceremonisë prestigjioze të “Çmimit të Karlit të Madh”, në nga vlerësimet më të rëndësishme evropiane për kontributorët në bashkimin dhe në të ardhmen e Evropës, ku evropiani i madh Mario Draghi u vlerësua më çmimin “Karli i Madh 2026””, u shpreh Rama.
Më pas, Rama ndaloi në Tallinn të Estonisë, ku mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Lennart Meri”, një forum i njohur për çështjet e sigurisë, diplomacisë dhe marrëdhënieve transatlantike.
Një nga momentet kryesore të vizitës, sipas Ramës, ishte anëtarësimi zyrtar i Shqipërisë në NATO Cooperative Cyber Defence Centre of Excellence, strukturë e specializuar e NATO-s për mbrojtjen kibernetike.
Ai e cilësoi këtë si një hap strategjik që e vendos Shqipërinë në një nivel të ri bashkëpunimi brenda aleancës në një nga fushat më kritike të sigurisë moderne.
“Ndërsa më pas në Tallinn të Estonisë isha i ftuar në konferencën e rëndësishme Lennart Meri, një nga forumet prestigjioze ndërkombëtare për sigurinë diplomacinë dhe marrëdhëniet translatantike. Një moment me rëndësi ishte dhe anëtarësimi zyrtar i Shqipërisë në NATO Cooperative Cyber Defence Centre of Excellence, një nga strukturat e reja dhe më të avancuara të aleancës në mbrojtjen kibernetike dhe një hap strategjik për vet Shqipërinë si një nga kontributorët në sigurinë kibernetike të aleancës e cila vendoset tanimë në një nivel tjetër bashkëpunimi brenda aleancës për një fushë që sot është një nga frontet më kritike të sigurisë tonë. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Estonisë hyjnë në një fazë të re bashkëpunimi në teknologji, digjitalizim, inteligjencë artificiale ku Estonia ka qenë një pioniere dhe ku sot Shqipëria shihet me respekt”, tha kryeministri.
/rtsh.al/