Editoriali i përbashkët me Vuçiç, ministrja e Kosovës për Ramën: Na preu në besë

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka kritikuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me një editorial të përbashkët që ai ka publikuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në gazetën gjermane FAZ.
Ajo tha se qytetarët e Kosovës nuk kanë për t’ia falur këtë artikull kryeministrit Rama.
Ndërsa shton se nuk duhet të ketë për Shqipërinë alternativa me Serbinë që nuk kalojnë nëpër Kosovë.
“Nga ana e kryeministrit Rama, i cili i tejkalon edhe ato kur kemi mbyllur njërin sy në të kaluarën, është artikulli i fundit i publikuar së bashku me Vuçiçin në gazetën prestigjioze gjermane.
Unë mendoj që qytetarët e Kosovës nuk kanë për t’ia falur atë artikull kryeministrit Rama, sepse krijohet përshtypja herë pas herë që gjithmonë atëherë kur Vuçiqin BE-ja, Europa e mbështet me shpatulla për muri, del Edi Rama dhe e nxjerr nga ajo situatë”, thotë ajo.
“Nuk duhet të ketë për Shqipërinë alternativa me Serbinë që nuk kalojnë nëpër Kosovë. Rruga nga Tirana për Beograd çon nëpër Prishtinë, edhe gjeografikisht, edhe ekonomikisht, edhe në çdo aspekt.
Kështu, secili kryeministër apo president shqiptar që e harron këtë ta dini që në afatgjatë ka për të bërë gabime të mëdha që kanë për ta dëmtuar kombin tonë më shumë”, ka thënë Gërvalla në RTK.
Kjo deklaratë e Gërvallës vjen pas një editoriali të përbashkët të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq të publikuar në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Sipas saj, problem i artikullit është propozimi që Serbia dhe Shqipëria të hyjnë së bashku në Bashkimin Europian.
“Problemi i artikullit nuk është pse Rama me Vuçiçin shkruajnë një artikull të përbashkët, por problem i atij artikulli është që propozimi është që Serbia dhe Shqipëria të hyjnë së bashku në Bashkimin Europian, duke mos përmendur në asnjë rrokje të vetme, pozicionin që ka Serbia në raport me Perëndimin, Rusinë, Kinën, Venezuelën, Iranin dhe forcat botërore që bien ndesh në çdo aspekt me përcaktimet tona për BE dhe NATO por edhe me përcaktimet e Shqipërisë”, është shprehur Gërvalla.
Më 27 shkurt, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, përmes një editoriali në Frankfurter Allgemeine Zeitung, krahasuan me “mbyllje dere” mesazhin e Berlinit, Parisit dhe të tjerëve se para zgjerimit të radhës do të duhet të reformohet BE-ja.
“Politikanë kryesorë në Paris, Berlin dhe gjetkë kanë theksuar se reforma të brendshme mund të jenë të nevojshme për të siguruar që një BE e zgjeruar të mbetet e aftë për veprim vendimtar. Ne nuk jemi naivë. Këto argumente kanë peshë. […] Megjithatë, t’u thuash anëtarëve të ardhshëm se duhet të presin reformat e BE-së përpara se të bashkohen do të ishte e barasvlershme me mbylljen e derës: edhe më shumë fjalime solemne ku riafirmohet angazhimi për pranimin e anëtarëve të rinj, ndërkohë që në fakt ndodh pak ose aspak. Kjo do të ishte e gabuar, kundërproduktive dhe madje e rrezikshme në këto kohë”, shkruanin Rama dhe Vuçiç në editorial.
Në përpjekje për të treguar një qasje “win-win” me përfitime të ndërsjella, Rama dhe Vuçiç e quajtën propozimin e tyre një qasje realiste drejt BE-së, ku vendet e rajonit do të përfshiheshin në tregun e përbashkët rajonal dhe zonën Shengen. Kështu, sipas tyre, nuk do të ngarkohej arkitektura vendimmarrëse e BE-së dhe as do të ndryshonte ekuilibri i saj institucional, pasi nuk do të kërkoheshin të drejta vetoje, komisionerë shtesë apo deputetë të Parlamentit Europian, si dhe as ndryshime në strukturat e votimit.