E Shtunë, 31 Tetor 2026

Egjipt Mubarak ne rigjykim

Rigjykimi i presidentit të rrëzuar egjiptian, Hosni Mubarak, nën akuzat për korrupsion dhe komplot, pritet të rifillojë në kryeqytetin egjiptian, Kajro.

Mubarak u dënua në qershorin e kaluar për planifikimin e vrasjes së protestuesve gjatë revoltave të vitit 2011, që i dhanë fund regjimit të tij. Por rigjykimi u urdhërua në janar pasi gjykata pranoi apelin e tij kundër dënimit me burgim të përjetshëm, duke cituar parregullësi proçeduriale. Rreth 850 persona u vranë në protestat e vitit 2011. Mubarak, 84 vjeç, është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe aktualisht po mbahet në një spital ushtarak në Kajro. Në gjyqin e tij të parë, që zgjati 10 muaj, ai u shfaq në gjykatë me një krevat me rrota. Ditën e shtunë ai i transportua me helikopter për në gjykatën në akademinë e policisë, në rrethinat e kryeqytetit. Televizioni shtetëror e tregoi sërish ish-presidentin të lëvizte me një krevat me rrota, i veshur me të bardha. Dy djemtë e tij dhe ish-ministri i Brendshëm i regjimit, Habib al Adly, do të rigjykohen gjithashtu për të njëjtat akuza. Al Adly u dënua me burgim të përjetshëm vitin e kaluar për kontribuim në vrasjen e protestuesve dhe me 12 vite të tjera për korrupsion. Ndërsa Gamal dhe Alaa Mubarak do të rigjykohen për korrupsion, akuzë nga e cila u çliruan në qershor, për shkak të skadimit të afateve të gjykimit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›