E Shtunë, 31 Tetor 2026

Egjipt shpallet gjendja e jashtezakonshme

Presidenca e Egjiptit ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pas masakrës që ndodhi kur forcat e sigurisë bastisën kampet e protestuesve në Kajro.

Në kampe qëndronin mbështetësit e ish-presidentit Mohamed Morsi, që u rrëzua nga pushteti në fillim të korrikut. Forcat e sigurisë deklarojnë se 95 persona janë vrarë, por lëvizja Vllazëria Myslimane thotë se viktimat janë me qindra. Gjendja e jashtëzakonshme fillon në 16:00 me orën lokale dhe do të zgjasë për një muaj. Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, buldozerë të armatosur hynë thellë në kampin kryesor të protestuesve që ishte ngritur jashtë xhamisë Raba al Adawiya, në lindje të Kajros. Autoritetet deklarojnë se edhe kampet e tjera të protestuesve, në Sheshin Nahda, tani janë boshatisur. Të dhëna për një gjakderdhje masive dolën nga kampet e protestuesve, me gazetarët që raportonin se të plagosurit po trajtoheshin pranë të vdekurve në tenda spitalore. Vajza 17-vjeçarë e një lideri të Vllazërisë Myslimane ishte mes viktimave, thonë gazetarët. Asmaa el Beltagy u qëllua në kurriz dhe në gjoks, tha vëllai i saj. Ndërkohë, një kameraman që punonte për “Sky News”, Mick Deane, është vrarë gjithashtu gjatë akteve të dhunës. Së fundmi vijnë të dhëna edhe për manifestime në zona të tjera të Egjiptit. Ende nuk është e qartë se sa viktima janë regjistruar në operacionet e forcave të sigurisë në Kajro. Shifrat ndryshojnë dhe verifikimi ka qenë i pamundur. Khaled Ezzelarab, një gazetar për shërbimin arab të BBC, deklaroi se kishte numëruar të paktën 50 trupa në tendat spitalore rreth xhamisë Raba al Adawiya. Ndërsa Ikhwanonline, faqja e internetit e Vllazërisë Myslimane, që mbështet dhe protestat, njofton se në total janë vrarë mbi 800 persona. Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se bilanci zyrtar i viktimave është ngjitur në 95, ndërsa Ministria e Brendshme ka mohuar që vdekjet të jenë shkaktuar nga forcat e sigurisë duke qëlluar me armë zjarri. / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›