Egnatia dhe Dinamo synojnë sonte përmbysjen në kupat evropiane

TIRANË, 13 gusht /ATSH/ Egnatia dhe Dinamo zbresin sonte në fushë për ndeshjet e kthimit në turin e tretë kualifikues të kupave të Evropës, me objektivin për të përmbysur rezultatet e ndeshjeve të para dhe për të vijuar aventurën ndërkombëtare.
Egnatia, kampione e Shqipërisë, pret në orën 21:00 në shtëpi Shamrock Rovers, pas humbjes 3-1 në Irlandë. Rrogozhinasit kanë një detyrë të vështirë, por në kampin kuqezi mbizotëron optimizmi përpara sfidës vendimtare.
Në të njëjtën orë, Dinamo përballet në “Elbasan Arena” me Auda-n, në ndeshjen e kthimit të turit të tretë kualifikues të Conference League. Blutë duhet të përmbysin humbjen minimale 1-0 të pësuar në Letoni.
Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, theksoi rëndësinë e avantazhit të faktorit fushë dhe kërkoi përqendrim gjatë gjithë 90 minutave.
“Në fushën tonë jemi më të përshtatur se kundërshtari. Duhet ta shfrytëzojmë këtë element gjatë gjithë 90 minutave dhe pse jo të pretendojmë të vazhdojmë më tej”, u shpreh Daja.
Edhe futbollisti Eridon Qardaku vlerësoi se përmbysja e rezultatit 0-1 është e vështirë, por e mundshme, duke kërkuar më shumë intensitet dhe agresivitet në dyluftime.
Për Dinamon, eliminimi do të nënkuptonte përfundimin e aventurës europiane në turin e tretë të Conference League. Ndërsa Egnatia, në rast eliminimi nga Europa League, do të vijojë rrugëtimin në play-off-in e Conference League.
/gj.m/j.p/r.e/