Egnatia fiton bindshëm në transfertën e Vorës

TIRANË, 31 gusht /ATSH/ Egnatia ka marrë sot një fitore të rëndësishme në javën e dytë të kampionatit, duke mposhtur Vorën me rezultatin 3-1 në transfertë.
Kampionët në fuqi të Superligës vuajtën presionin e vendasve të cilët shfrytëzuan ndryshimet e shumta që kishte bërë në rreshtim trajneri Nevil Dede, i cili kishte lënë pushim titullarët e ekipit pas përballjes me Lillestrom në mesjavën e kaluar për Europa League.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, pavarësisht disa rasteve të krijuara nga vendasit. Vora ishte më kërkuese dhe pati kontrollin e lojës për një pjesë të mirë të fraksionit të parë, ndërsa Egnatia nuk arriti të rrezikonte seriozisht portën e Harizajt.
Në pjesën e dytë Vora kaloi në avantazh në minutën e 65-të me Karricën.
Trajneri Dede futi në lojë Grudën, Aleksin, Albaneze-n, Adjesa-n e Jago-n, dhe situata ndryshoi plotësisht, pasi erdhën njëri pas tjetri tri gola që përmbysën shifrat dhe i dhanë suksesin 3-1.
Rrogozhinasit reaguan menjëherë dhe në minutën e 69-të gjetën barazimin me Adjessa-n.
Gjashtë minuta më vonë Albanese mori topin në të djathtë, u fut në qendër dhe me një goditje të saktë mposhti Harizajn.
Vora tentoi të reagonte, madje gjeti edhe golin e barazimit me Dakën në minutën e 72-të, por goli u anulua për pozicion jashtë loje pas ndërhyrjes së sistemit VAR.
Në minutën e 85-të Jago shënoi edhe golin e tretë për Egnatian.
Me këtë sukses, Egnatia merr një fitore të rëndësishme në javën e dytë të kampionatit, ndërsa Vora pëson një tjetër goditje pasi nuk arriti të ruante avantazhin e krijuar në pjesën e dytë.
Java e dytë nisi të shtunën, më 29 gusht, me dy takime: Partizani – KF Laçi 1-2, në “Arena Egnatia”, dhe AF Elbasani – Vllaznia 1-1 në “Elbasan Arena”. Të dielën Teuta fitoi 3-1 me Tiranën.
Po sot luhet ndeshja e fundit e kësaj jave, ku në orën 21:00 në stadiumin “Elbasan Arena” do të përballen Skënderbeu dhe Dinamo City.