Egnatia mund Dinamo City-n dhe “arratiset” në krye me Elbasanin

TIRANË, 14 dhjetor /ATSH/ Egnatia fitoi 2-1 në transfertë ndaj Dinamo City-t, në ndeshjen e vlefshme për javën e 16-të të Kategorisë Superiore, e zhvilluar në “Elbasan Arena”.
Kampionët në fuqi e nisën takimin me epërsi të dukshme, duke zhbllokuar rezultatin që në minutën e 5-të me Alessandro Albanese. I njëjti lojtar dyfishoi shifrat në minutën e 59’, duke vulosur një fitore të rëndësishme për verdhezinjtë. Goli për vendasit u shënua në shtesë, konkretisht në minutën e 93 nga Qefalija.
Ky sukses e mban Egnatian shumë pranë vendit të parë dhe njëkohësisht i shkakton Dinamos një ndalesë të rëndësishme në ambiciet e saj. Pas kësaj humbjeje, blu-të shohin të zgjerohet diferenca me kryesuesit në minus gjashtë pikë.
Pas këtij raundi, gara në krye po merr gjithnjë e më shumë fizionominë e një dueli mes AF Elbasanit dhe Egnatias. Verdheblutë e drejtuar nga Gvozdenoviç kryesojnë renditjen me 32 pikë, një më shumë se rrogozhinasit, duke konfirmuar ritmin e skuadrave pretendente dhe duke nisur shkëputjen nga grupi i ndjekësve.
Në hapat e Dinamos ndodhet edhe Vllaznia, e cila nuk shkoi më shumë se një barazim në shtëpi ndaj Bylisit, duke humbur terren në luftën për vendet e para.
Gara për zonën “Final 4” mbetet e hapur. Teuta është vetëm dy pikë larg vendit të katërt, ndërsa Partizani, i drejtuar nga Kërnaja, ndodhet tre pikë pas, duke mbajtur ende gjallë shpresat për një pozicion mes më të mirëve.
Në fundin e tabelës, lufta për mbijetesë pritet të jetë e ashpër dhe pa kompromis. Vora, Bylisi, Flamurtari dhe Tirana mbeten të përfshira në një rivalitet të fortë që, sipas të gjitha gjasave, do të zgjasë deri në javët e fundit të kampionatit.
Rezultatet e javës se 16-të
Partizani 2-1 Flamurtari
Vora 0-1 AF Elbasani
Teuta 1-1 Tirana
Vllaznia 1-1 Bylis
Dinamo 1-2 Egnatia
Renditja: Elbasani 32 pikë, Egnatia 31 pikë, Dinamo City 26 pikë, Vllaznia 26 pikë, Teuta 24 pikë, Partizani 23 pikë, Vora 16 pikë, Bylisi 15 pikë, Flamurtari 13 pikë dhe Tirana 8 pikë.
/r.e/