Ekipet shëndetësore në terren 24 orë në 7 ditët e javës

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga ekipet shëndetësore që ndodhen në terren 24 orë në 7 ditët e javës, pranë qytetarëve në çdo moment për të garantuar kujdes shëndetësor pa ndërprerje gjatë situatës së motit të keq.
Aktualisht, të gjitha strukturat shëndetësore janë në gatishmëri të plotë, ndërsa ekipet janë të angazhuara në terren për të garantuar ofrimin e pandërprerë të shërbimeve shëndetësore, trajtimin e rasteve urgjente dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka bërë të ditur se, vijon koordinimin e vazhdueshëm me spitalet rajonale, 36 njësitë vendore të kujdesit shëndetësor dhe katër drejtoritë rajonale, përmes raportimeve të përditësuara dhe komunikimit të drejtpërdrejtë, me qëllim garantimin e një reagimi të shpejtë, të koordinuar dhe efektiv të sistemit shëndetësor në çdo situatë.
Në zonat e prekura nga përkeqësimi i motit janë realizuar 174 misione për transportimin e pacientëve drejt strukturave spitalore dhe 243 misione për trajtim në vendngjarje, pa pasur nevojë për transport.
/gj.m/a.f/