E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Ekonomia” miraton faljen e gjobave, Gorrea: Një nga nismat më të jashtëzakonshme, nuk ka lidhje me fushatën elektorale

Nisma e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për të anuluar gjobat e paekzekutuara në 10 vitet e fundit, të vendosura për qytetarët në zonat rurale që kanë bërë investime në banesa pa leje, u miratua këtë të martë në Komisionin e Ekonomisë.

Gjatë diskutimeve, nismëtari Erion Braçe shtoi se përfitues do të jenë edhe individët që jetojnë në qytet, në njësi individuale banimi dhe jo në pallat.

Opozita nga ana tjetër përsëriti se kjo është një nismë elektorale, ndërsa propozoi edhe disa kategori të tjera që mund të falen.

Pas diskutimeve, propozimet e opozitës nuk u bënë pjesë e projektligjit. Me hyrjen në fuqi të ligjit, do të përfitojnë edhe ata individë që nuk kanë zbatuar rregullat e vendosura gjatë periudhës së pandemisë.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve të orës 19:00 në Vizion Plus me moderatorin Aleksandër Furxhi ishte kryebashkiaku i Divjakës, Josif Gorrea.

Z.Gorrea tha se kjo nismë e marrë nga Partia Socialiste është e jashtëzakonshme.

Kryebashkiaku i Divjakës shtoi se një nismë e tillë nuk ka lidhje me fushatën elektorale, siç pretendon opozita.

Intervista e plotë:

Sa e rëndësishme është një nismë e tillë për një Bashki siç është Divjaka?

Gorrea: Është një lajm i madh. Unë jam 1 vit e gjysmë kryetar Bashkie dhe kam parë nga afër problemet e mëdha, masat që shumë herë janë marrë të tejkaluara. Qytetarë të ndryshëm janë ndodhur përpara problematikave të mëdha. Gjobat kanë qenë nga 500 mijë lekë të reja e sipër. Jam përballur me këto prej një kohe të gjatë. Kjo nismë e jashtëzakonshme nuk ka lidhje me fushatën elektorale, edhe pse opozita po e trajton si të tillë. Deputeti dhe përkrahësit e tjerë kanë kohë që duan ta realizojnë, kanë më shumë se 2 vite.

Si e keni kuptuar këtë nismë? Falja është vetëm për ndërtimet pa leje apo edhe masa të tjera administrative?

Gorrea: Me dëshirën time, jo vetëm për ndërtimet, por edhe për masa të tjera. Si për shembull, tek AKU, energjia elektrike dhe tek uji. Me ardhjen në pushtet të PS-së, kjo është një nga gjërat më të mira, mendoj unë. Në ndërtime, pasojat ishin të jashtëzakonshme. Ne e dimë që ky vend prej shumë vitesh u la të ndërtohej sipas dëshirës. Kjo nismë është e jashtëzakonshme. /vizionplus.tv

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›