Ekonomia ruan trendin pozitiv – Bujqësia dhe industria mbeten mbrapa, konfliktet dhe lufta tregtare rreziqe për ekonominë

Ekonomia shqiptare vijon të ruajë trende pozitive zhvillimi. Këtë e konstaton edhe raporti i Politikës Monetare i Bankës së Shqipërisë.
Sipas Erald Themelit, drejtor i Departamentit të Politikës Monetare, besimi i sipërmarrjes dhe konsumatorit ka nxitur zgjerimin e shpenzimeve agregate, çka është përkthyer në një ecuri pozitive në sektorë si turizmi dhe ndërtimi. E njëjta gjë s’mund të thuhet për sektorë të tjerë.
“Ndërkohë që sektori i industrisë dhe bujqësisë, sikurse e kemi evidentuar, vazhdojnë të kenë një ecuri më të ngadaltë, sepse kanë probleme specifike të zhvillimit të tyre,” thotë z. Themeli.
Zgjerimi i shpenzimeve, nga ana tjetër, ka bërë të mundur rritjen e punësimit dhe të pagave.
“Pagat në sektorin privat gjatë vitit 2024 u rritën me afërisht 8,6% në nivel mesatar, çka ka qenë një mbështetje e fuqishme për rritjen e shpenzimeve të familjeve shqiptare, por nga ana tjetër është edhe premisë për rritjen e kostove të prodhimit të biznesit,” shton drejtori i Politikave Monetare në BSH.
Z. Themeli ka një parashikim për ekonominë shqiptare në horizontin e dy-tre viteve të ardhshme.
“Ne presim që ekonomia shqiptare të rritet afërsisht në linjë me potencialin e saj të rritjes ekonomike, që vlerësohet aktualisht në nivelin 3,5–4%. Ky zhvillim i ekuilibruar midis kërkesës dhe ofertës agregate në ekonomi do të mundësojë që inflacioni të kthehet gradualisht në objektivin tonë 3%,” shprehet ai.
Për z. Themeli, konteksti global vijon të paraqesë rreziqe dhe pasiguri të larta për ekonominë shqiptare, të cilat vijnë si rezultat i konflikteve dhe luftës tregtare mes blloqeve konkurrente gjeopolitike.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/