E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonomia shqiptare vlerësohet pozitivisht

Tiranë, 20 prill, NOA Shqipëria mori vlerësimin e dytë të riskut të investimit, nga kompania Standard and Poors, e cila është një nga tre kompanitë kryesore ndërkombëtare të vlerësimit të riskut. Vlerësimi që S&P bëri për vendin tonë është B+, me një këndvështrim stabel për qëndrueshmërinë financiare dhe makro-ekonomike të vendit.

Në vlerësimin e saj për riskun e vendit, kompania S&P citon si argumente kryesore rritjen solide të ekonomisë, potencialin e saj afatmesëm dhe afatgjatë, prospektet për integrimin europian dhe kuadrin ligjor që mbron investitorët dhe garanton me prioritet pagesat e huave.

Gjithashtu S&P thekson se ekonomia shqiptare ishte nga të vetmet ekonomi europiane që nuk pësoi rënie ekonomike dhe recession. S&P vlerëson se mbajtja nën kontroll e inflacionit ishte një faktor i rëndësishëm i qëndrueshmërisë ekonomike të vendit gjatë periudhës së krizës ndërkombëtare.

Vlerësimi i S&P i paraprin daljes së Shqipërisë në tregun ndërkombëtar të kapitalit në dy javët e ardhshme, me eurobondin e saj të parë. Vlerësimi B+ vjen në një kohë kur rajoni dhe bota ende përballet me krizën ekonomike dhe financiare, dhe kur shumica e vendeve të rajonit kanë marrë vlerësime në zbritje nga kompanitë e riskut.

Ky vlerësim është një konfimim i vlerësimit të Moodys, dhe shpreh besimin e analistëve ndërkombëtare të riskut për ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave në lidhje me vlerësimin.

r.l/NOA

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›