E Martë, 3 Nëntor 2026

Ekskluzive! Mbështetja për bujqësinë, ministrja Denaj tregon prioritetet për 2024

Qeveria Shqiptare ka planifikuar mbështetjen e sektorit të bujqësisë nëpërmjet një skeme të veçantë financimi. Skema ka pasur mbështetje dhe kundërshti nga një numër i caktuar aktorësh të jetës politike dhe të sektorit.

Data 27 mars do të jetë data kur kjo skemë do të fillojë të funksionojë. Në një intervistë të posaçme për Televizionin Publik, kreu i dikasterit të bujqësisë ka shpjeguar të gjitha hollësitë për zbatimin e kësaj skeme.

“Problemi që kemi prej 32 vitesh është fragmentizimi i lartë i tokës dhe kjo mund të ketë shumë arsye, ku sot kemi mesatarisht 1.1 hektarë për fermë. Për objektivin që i kemi vënë vetës dhe arritjen e një standardi i cilësisë për tregjet ndërkombëtare nuk mundet as teknologjia e re të futet në ferma të vogla dhe as produktet cilësore të realizohen me kosto optimale nëse sipërfaqet janë të vogla. Kur flasim për një mesatare 1.1 ha, do të thotë se ka sipërfaqe të konsiderueshme toke që janë nën këtë nivel dhe aty vështirësohet edhe më shumë çështja e automatizimit të proceseve. Ky nuk është një proces i lehtë pasi vijmë me një mentalitet që bashkimi mund të sjellë probleme mes palëve. Ne e vendosim Skemën kombëtare si një nxitëse të bashkimit, për të vendosur më shumë ekonomi dhe cilësi, por kjo nuk do të thotë se ata që nuk do të bashkohen nuk do të përfitojnë nga skema kombëtare e bujqësisë. Bashkimi i operatorëve dhe jo domosdoshmërish shoqëritë e bashkimit bujqësor, nuk janë në të vërtetë bashkim i vendosur në vështirësi për fermerët apo blegtorët. Ne nuk po kërkojmë të bashkojmë pronat ndryshe nga SHBB”, tha ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj.

Shqipëria financon bujqësinë më pak se sa qeveritë e rajonit. Një studim i FAO e cilëson këtë financim 18 herë më pak se vendet fqinje. Ministrja Denaj ka një shpjegim për këtë:

“Ne nuk mund të krahasojmë skemat që nuk kanë një pamje të plotë. Nëse unë do të krahasoj skemën kombëtare me një shtet tjetër duhet të bëjë një analizë të të gjithë skemave të tjera mbështetëse, përfshirë IPARDIN. Në këtë pikë nëse krahasohemi me Kosovën, mbështetja që shkon drejtpërdrejtë sektorit duhet parë si në raport me skemën mbështetëse të prodhimit të lëndës së parë ashtu edhe të përpunimit përmes investime përfshirë edhe aksesin në financë. Prej 2016 qeveria shqiptare është përfshirë me fonde për të garantuar kreditë njësoj si për periudhën e pandemisë. Jo të gjithë fermerët e dinë që ka një skemë të tillë garancie”, tha Denaj.

Skema e mbështetjes është proporcionale ndërsa ministrja Denaj thotë se tashmë nuk ka tavan në financim. Ja shembulli që jep kreu i dikasterit:

“Ka vend për më shumë buxhet, por unë jam besimplotë që buxhetet përtej tavaneve po rriten. Vjet kemi pasur 51 milionë dollarë nga 10 milionë dollarë para 10 viteve dhe 33 milionë dollarë përpara një viti. Kjo shikohet në perspektivë. Shumë e rëndësishme dhe kjo është porosi e kryeministrit Rama është edhe efektiviteti i masave dhe efektiviteti instrumenteve, përfshirë edhe ata fiskale. Ke kemi një nivel të lartë informaliteti dhe vazhdoj them se jo vetëm SHBB por edhe skemat e operatorëve që bashkohen në një kontratë interesi për të punuar në të njëjtin treg, me ndihëm e FAO ne nisim një produkt juridik i cili besoj që deri në nëntor do na jap disa instrumente që kur të përgatitet paketa fiskale këto bashkim operatorësh t’i vendosim në fokus për të vendosur prioritet vetëm aty ku formaliteti ekziston, produkti cilësor dhe kemi gjurmueshmëri”, tha Denaj.

Skema kombëtare nuk plotëson të gjithë kërkesën e sektorit bujqësor për financime të nevojshme. Shumë shpejt do të bëhet efektiv IPARD 3, një skemë europiane mbështetjeje. Ja si do të shkohet drejt objektivit 1 miliardë Euro eksporte shqiptare

“Ne në Shqipëri, por edhe në rajon, nuk mund të rrisim ekonominë tonë bujqësore pa ndihëm e BE. IPARD 2 tregoi se nëse kaluam nga një sistem të një bujqësie të vogël në më të përparuar kjo ishte falë ndërtimit të serave që sot janë 2200 ha, në 2014 ishin 1000 ha. Në 2030 ne duam të shkojmë në 4400 ha. 4400 hektarë prodhim sere ne na çon drejt  objektivit të eksporteve 1 miliardë dollarë ekspertë”, tha ministrja.

Shqipëria dot ka të punësuar rreth 40 për qind të të gjithë forcës aktive të punë. Qeveritë kanë financuar bujqësinë vetëm 0,19 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm të Brendshëm, ndërsa kontributi i sektorit është plot 19 për qind.

Gazetar: Bardh Sejdarasi

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›