E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ekskluzive, Skela për RTSH: Gjermania ka humbur identitetin

Për Ervin Skelën futbollit gjerman i mungojnë disa prej karakteristikave mbi të cilat, në të kaluarën, ka ndërtuar sukese të mëdha. Gjatë një ndërhyrje në emisionin “Sot në Botëror”, ish-mesfushori i talentuar i Shqipërisë, analizoi formacionin e drejtuar nga Hansi Flick si dhe zbuloi diçka më shumë rreth jetës “të re” që ka nisur pasi mbylli llogarinë me futbollin e luajtur.

Të mërzitur dhe optimist – Humbja e Gjermanisë në ndeshjen e parë të Katar 2022 nuk ka kaluar pa vëmendje nga publiku gjerman.  “Pas humbjes me Japoninë të gjithë ishin jashtëzakonisht të mërzitur nga rezultati, por duke dëgjuar dje Hansi Flick në konferencën për shtyp ai është i bindur për stilin e lojës dhe mënyrën e të luajtur futbollit nga ana e kombëtares gjermane. Ai është i bindur së përballë Spapnjës do të arrijnë një rezultat pozitiv”.

Shkaku – Sipas 46-vjeçarit problem më i madh i Gjermanisë vjen nga ekipet e moshave. Atje ku sipas tij lojtarëve u mësohet një tjetër stil loje. “Jetoj këtu prej shumë vitesh dhe të them të drejtën ata e kanë humbur pak identitetin e vet të mënyrës si luanin futboll. U mungon disiplina dhe shpirti luftarak, dy aspekte që karakterizonin ekipin gjerman. Unë punoj me femijët dhe e kam vënë re se diçka ka ndryshuar. Sigurisht një ndryshim i tillë nuk ndodh për një periudhë të shkurtër kohore. Sigurisht që u kërkohet të luhet futboll  por kësaj herë tentohet më shumë të përdorin stilin e lojës që bëjnë spanjollët. Për mendimin tim ata nuk duhet të humbin karakteristikat që e kanë bërë të ketë aq shumë sukses në të shkuarën”, argumentoi Skela.  

Mungon 9 – Një tjetër problem për Ervin Skelën është edhe mungesa e një sulmuesi zone. “Sot Gjermanisë i mungon një lojtar zone. Mendoj se emra si Miro Klose, Rudi Völler, Jürgen Klinsmann, Karl-Heinz Rummenigge ose Carsten Jancker i mungojnë shumë momentalisht ekipit gjerman. Për fat të keq këta lloj lojtarësh nuk janë një rastësi që nuk gjenden në Bundesliga. Siç e përmenda dhe më lart në ekipet zinxhirë fëmijëve u kërkohen lëvizjet që karakterizojnë sulmuesit e fshehur dhe jo ata që kanë prezencë në zonë. Në këtë aspekt orientohen nga Spanja dhe për mendimin tim gabojnë pasi Spanja ka shumë talent brenda dhe ka lojtarë me shumë teknikë. Unë nuk them se Gjermania nuk duhet ta tentojë këtë standard por të ketë kujdes mos të humbasi identitetin e vet”, tha Skela.

Liderët – I pyetur nëse stili i lojës i Spanjës ishte efikas për Gjermaninë në triumfin e 2014-ës, Skela pranoi se: “Është e vërtetë që me kontroll topi mundi që të fitonte Kupën e Botës në 2014, por nuk duhet të harrojmë se Gjermania e ‘Brazil 2014’ ka pasur edhe lider të vërtetë në grup. Lojtarë si Shvajni apo Klose nuk janë të lehtë për tu zëvendësuar. Bastian ishte një lider i vërtetë në fushë ndërsa Klose ka qenë një lojtar që shënonte gola mjaft të rëndësishëm”.

Këshilla – “Edhe sot ka lojtarë të talentuar si Musiala apo Haverz, por duhet të themi se nuk janë lojtarë që mund të nxjerrin Gjermaninë nga momenti i vështirë. Këtij ekipi i mungojnë lider si Effenberg, Ballack apo Kahn dhe jam i mendimit se Gjermania duhet të bëjë ç’mos që të rikthejë këtë tip lojtarësh”.

Parashikimi – “Mendoj se Gjermania nuk do të ketë rrugë të gjatë në Botëror. Ndeshja me Japoninë më tregon shumë. Ata kontrolluan topin bënë shumë pasime por nuk mbyllën lojën”.

Krahasimi – “Më parë Gjermania ka qenë një tjetër ekip. Pas golit të parë ata tentonin të shënonin përsëri, nuk ndaleshin. Mund të marrim si shembull ndeshjen Gjermani – Brazil. Ekipi dhe pas një pjese të parë perfekte nuk u ndal dhe kërkoi gola të tjerë. Ishin të uritur për gola kurse ndaj Japonisë ndodhi e kundërta. Në ndeshjen në fjalë Gjermania vuajti shumë edhe në mbrojtje. Po ta vini re Sule luajti në të djathtë dhe ai është një lojtar i ngadaltë. E njëjta gjë vlen dhe për Nico Schlotterbeck, të cilit i mungon zhdërvjelltësia. Raum është teknik dhe më pëlqen. Edhe Rudiger është një lojtar shumë i mirë. I vetmi që ka fituar Ligën e Kampioneve. Ai ka qenë lojtar i Chelsea dhe tani është te Reali. Të njëjtën gjë s’mund të themi për Sule, të cilin Bajerni nuk e largoi pa arsye”.

Aventura te Frankfurt – Në fund të bashkëbisedimit, Skela tregoi diçka më shumë rreth “jetës së dytë” që nisi pasi përfundoi karrierën si futbollist. “U bënë tashmë dhjetë vite që ndodhem te Eintracht Frankfurt. Gjashtë vitet e para kam punuar te akademia e Franlfurt me fëmijët. Më pas kalova te U-17 dhe tani jam trajner i parë i U-19. Vitet e fundit kemi ndërtuar diçka të rëndësishme në Frankfurt. Nuk e them vetëm se kemi fituar Ligën e Europës por edhe për shkak të tifozerisë e cila na ka dhënë mjaft pikë me performancën e vet në shkallët e stadiumeve. Sa i përket fushës këtë vit kemi arritur një tjetër rezultat të madh pasi u kualifikuam për në fazën me eleminim direct në Champions League”, zbuloi Skela.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›