E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekslpozivi, gjykata 9 muaj burg praktikantit mysliman, u denoncua nga gruaja

TIRANË- Gjykata e Tiranës dënoi me 9 muaj burg, Denis Shimillin, njeriun i cili u denoncua nga e shoqja se mbante në shtëpi lëndë eksplozive. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Shimilli, praktikanti i besimit mysliman, do të vuajë vetëm gjashtë prapa hekurave. Gjykatësja Ariana Caco e gjeti fajtor babain e dy fëmijëve për akuzën e "Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioni". I pandehuri, i cili u ndalua pikërisht mbrëmjen kur u ekzekutua me eksploziv, palestinezi Anuar Rizik, ish-nëndrejtori i fabrikës së çimentos në FushëKrujë, pasi në shtëpinë e tij u gjetën lëndë eksplozive, shfaqi pendesë të thellë para gjykatës.
HISTORIA
Çifti Denis Shimili dhe Rudina Mata kanë lidhur martesë prej 4 vjetësh, nga e cila kanë lindur dy fëmijë, që aktualisht janë të mitur. Për shkak të problemeve ekonomike, pas lindjes së fëmijës së parë, midis çiftit kanë lindur konflikte, të cilat shpeshherë ishin të dhunshme. Në vendimin e gjykatës thuhet se konfliktet në çift kishin nisur për shkak se Rudina i kërkonte bashkëshortit të saj të punonte, për të siguruar jetesën. I pandehuri i ishte kushtuar fesë myslimane dhe me paratë që siguronte nga puna tij ai i shpenzonte për mjete që nuk i shërbenin familjes. Megjithëse Rudina insistonte që këto para të përdoreshin për ushqyerjen e familjes, nga ana e të pandehurit kërcënohej për veprime të dhunshme. E gjendur në këto kushte nëna e dy fëmijëve ka njoftuar policinë se bashkëshorti i saj, në kasat e dyerve të banesës së tij, mbante lëndë eksplozivi. Me marrjen e këtij denoncimi, policia ka ushtruar kontroll në banesën e të pandehurit ku ka gjetur dhe sekuestruar; një kapsollë donator me dy tela, dy kallëpe të mbështjella me natriban, të dyshuar si lëndë plasëse. Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e aktit të ekspertimit balistik, nga ku ka rezultuar se, lënda është eksploziv i fabrikuar i llojit TNT, me shpejtësi detonimi rreth 7200 m/sek. Gjithashtu ka rezultuar se lënda plasëse e sekuestruar është e rregullt teknikisht dhe shpërthen normalisht. Shimilli është dërguar në qeli duke pranuar fajësinë, por ka deklaruar se lëndën plasëse e mbante për peshkim dhe jo për të kryer aktivitete kriminale. Tashmë Denis Shimilli është dënuar nga drejtësia shqiptare dhe shumë shpejt pritet t'i rikthehet jetës në liri.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›