E Martë, 3 Nëntor 2026

Eksperti Ozuni: Shqipëria s’ka kapacitete për turizmin elitar, ja si mund t’i joshim turistët e huaj

Eksperti i turizmit Ferjolt Ozuni i ftuar në emisionin “Jetë Shqiptare” RTSH 1, ka shpjeguar se në kushtet aktuale, Shqipëria e ka të pamundur të zhvillojë turizmin elitar.

Ozuni theksoi se Shqipëria nuk i ka kapacitetet e duhura për ta zhvilluar këtë sektor të turizmit në nivelin e duhur.

Sipas tij, ndërtimet e shumta në bregdet pa një plan efikas urbanistik e ka bërë tejet të vështirë që të zhvillohet turizmi elitar.

“Ne nuk e dimë nëse i kemi kapacitetet për të zhvilluar turizmin elitar sepse turizmi elitar fillon nga ajo çfarë ti ofron në bazën e paketës turistike, në akomodim.

Duke marrë parasysh që hotelet tona, për shembull në bregdetin e Durrësit janë ndërtuar një gërmadhe të madhe ndërtesash.

Është e vështirë që në një ndërtesë hoteli të krijohet komoditeti individual të gjithsecilit dhe të imazhit”, theksoi Ozuni.

Ozuni renditi edhe arsye të tjera konkrete që sipas tij e pengojnë zhvillimin e turizmit elitar.

“Në kushtet që gjendemi sot është e pamundur për të zhvilluar turizmin elitar për disa arsye.

E para, ne sot kemi problematikën që na mungon krahu i punës. Nëse nuk ka kush ta ofrojë këtë shërbim, tulla nuk e ofron dot shërbimin.

Ne këtë vit kemi parë një problematikë shumë të madhe që na vijnë në industrinë turistike, të rinj të moshës 15-18 vjeç.

Këta individë sado të aftë të jenë nuk janë përgatitur për të ofruar një shërbim cilësor në aspektin turistik. Duke mos u afruar shërbimet bazike nuk mund të pretendosh të shkosh në nivel elitar”, u shpreh Ozuni.  

Ai shtoi se “ajo që e bën një turist të kthehet dhe të rikthehet janë aktivitetet mbështetëse. Nuk kemi aktivitete ujore pothuajse fare dhe përballet vetëm me shezlongun  dhe do flejë gjumë në hotel”.

Pjesë nga intervista në studio:

Cilin turist të synojmë?

Ferjolt Ozuni: Ne duhet të synojmë që kemi pasur deri tani, turistin me të ardhura mesatare të Evropës Lindore dhe Qendrore. Ndoshta edhe atë të Evropës Perëndimore që e rrit pak standardin pasi të ardhurat i kanë më të larta. Vazhdojmë të kemi çekë, polakë, serbë, hungarezë. Janë këta që e kanë mbajtur turizmin në nivelin e duhur.

Me çfarë e josh sot Shqipëria turistin?

Ferjolt Ozuni: Shqipëria, përveç plazhit që e kemi shtrydhur në maksimum, duhet të shfrytëzojmë turizmin malor rekreativ dhe jo malor sportiv. Janë të gjitha këto që Shqipëria të mos jetë vetëm për plazh. Kjo do të ishte një arritje të madhe sepse turistët janë të interesuar edhe për malin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›