E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Eksperti i ISHP-së, Ylli për ATSH-në: Vdekshmëria proporcionale nga tumoret më e ulët se në BE

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Pas sëmundjeve kardiovaskulare, vdekshmëria nga sëmundjet tumorale në Shqipëri vjen e dyta në renditje. Eksperti i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare thekson se vdekshmëria proporcionale (përqindja e vdekjeve nga kanceret mes totalit të vdekjeve) ka ndryshuar pak gjatë 10 viteve të fundit në Shqipëri.

“Tumoret malinje, ose kanceret, ngelen shkaku i dytë më i rëndësishëm i vdekjeve pas sëmundjeve të zemrës, me rreth 15% të shkaqeve të vdekjeve çdo vit. Kjo është një situatë që vërehet edhe në vende të tjera. Madje, në vende të tjera ky proporcional është më i lartë. Në Bashkimin Evropian, vdekshmëria proporcionale nga kanceret është 21,6%. Vende që e kanë këtë tregues të ulet dhe të ngjashëm me Shqipërinë janë Rumania 13,8%, Serbia 14,7%, Turqia 13,8%, Bullgaria 11,7%, Lituania 16,3% etj. Kanceret futen në grupin e sëmundjeve jo të trasmetueshme dhe shpesh kanë faktorë të përbashkët rreziku me sëmundjet kardiovaskulare, të tillë si: ushqyerja e pashëndetshme, duhanpirja, konsumi i alkoolit, mungesa e aktivitetit fizik, obeziteti etj.”, thekson Ylli.

Sipas ekspertit të ISHP-së, prej më shumë se shtatë vitesh në Shqipëri diagnostikohen më shumë se 6000 raste të reja me kancer. Në vitin 2015 ishin rreth 5500 raste, në vitin 2017 ishin rreth 6300, dhe në vitin 2023 ishin rreth 6700 raste të reja në vit. Por, pas pandemisë Covid-19 është vërejtur një trend në rritje për shtim të sëmundjeve tumorale.

“Është një dukuri e vërejtur kudo në botë dhe është e lidhur me faktin se gjatë pandemisë, sidomos gjate vitit të parë të saj, u pakësuan kapacitetet e sistemeve shëndetësore për të diagnostikuar dhe u ul në mënyrë të panatyrshme numri i rasteve të reja me kancer. Një pjesë e rasteve ‘të humbura’ gjatë pandemisë, me shumë gjasë, janë kapur më vonë nga sistemi shëndetësor. Kështu në Shqipëri, gjatë vitit 2020 u diagnostikuan vetëm rreth 4500 raste të reja me kancer, dhe vetëm në vitin 2022 u rikthyem në treguesit e vitit 2017, për t’u rritur më tej në 2023”, vijon mjeku.

Sipas Yllit, dy kanceret më të shpeshta, në distancë me kanceret e tjera, janë kanceri i mushkërive dhe kanceri i gjirit me një numër të përafërt rastesh të reja të diagnostikuara çdo vit (rreth 7500 raste). “Kanceri i gjirit në vendin tonë ka një incidencë prej mbi 60 raste të reja për 100 000 gra. Po, kanceri i gjirit konsiderohet një kancer relativisht më pak agresiv sesa kanceri i mushkërive dhe disa kancere të tjera”.

Risku për t’u prekur nga kanceret rritet në mënyrë eksponenciale me moshën, deri në moshën 79 vjeç, kur arrin pikun, për t’u ulur më pas.

“Risku para moshës 50 vjeç është i ulët dhe më pak se 14% e rasteve diagnostikohen para kësaj moshe. Vetëm rreth 2% të rasteve mund të hasen në grupmoshat nën 30 vjeç. Te femrat risku është pothuaj dy herë më i lartë se te meshkujt në grup-moshën 30-55 vjeç, si pasojë e kancereve të organeve riprodhuese femërore (mitra dhe gjiri). Në moshat mbi 60 vjeç, risku për t’u prekur nga kanceri te meshkujt rritet me shpejtësi për të arritur më shumë se dyfishin e atij të femrave, e shkaktuar kjo kryesisht nga kanceret e mushkërive, stomakut, zorrës së trashë, prostatës etj. Mosha mesatare e diagnozës për kanceret është 63 vjeç. Kjo moshë për kancerin e gjirit dhe kancerin e qafës së mitrës është përkatësisht 58 vjeç dhe 54 vjeç. Mosha mesatare e diagnozës për kancerin e mushkërive është 67 vjeç. Për kanceret e zorrës së trashë 66 vjeç, dhe të stomakut 65 vjeç”, shton Ylli.

Sipas mjekut, tumoret malinje mund të zhvillohen në të gjitha organet e trupit të njeriut dhe secili prej tyre mund të konsiderohet si një sëmundje e veçantë me protokolle klinike të ndryshme të diagnozës dhe trajtimit.

“Imazheria dhe testet laboratorike, ndihmojnë në vendosjen e diagnozës, e cila zakonisht finalizohet me ekzaminimin nga mjekë të specializuar të indeve të marra nga masa e dyshuar tumorale (biopsia). Trajtimi i tumoreve malinje ndjek disa strategji bazë të aplikuara nga shërbime në spitale të specializuara. Këto strategji përfshijnë kirurgjinë, ose heqjen mekanike të masës tumorale, radioterapinë, ose rrezatimin me energji të lartë për shkatërrimin e plotë ose tkurrjen e tumorit, si dhe kimioterapinë e imunoterapinë, gjatë të cilave përdoren barna apo substanca që kanë aftësi të dëmtojnë qelizat kanceroze ose të ndihmojnë organizmin për t’i luftuar ato”, thekson mjeku.

Sipas të dhënave zyrtare të ISHP-së, përqindjen më të madhe të vdekjeve nga kanceret e shkaktojnë kanceri i mushkërive (22%) dhe kanceri i stomakut (11%). Vetëm këto dy kancere përbëjnë rreth 1/3 e të gjitha vdekjeve nga kanceri. Raporti midis meshkujve dhe femrave në vdekshmërinë nga këto dy kancere është rreth 80% me 20% dhe 70% me 30%, përkatësisht për kancerin e mushkërive dhe kancerin e stomakut. Kanceret e tjerë me rëndësi si shkaktarë të vdekjeve janë kanceret e zorrës së trashë (8,6%), të mëlçisë (8%), të gjirit (6%), të trurit (6%), të pankreasit (6%), të prostatës (6%), leukozat dhe limfomat (5%), etj. Kanceret e organeve të tjera përbëjnë secili më pak se 2% ose 1% të totalit.

Eksperti i ISHP-së bën thirrje për një kujdes të shtuar në mënyrën e ushqyerjes dhe stilin e jetesës, duke investuar në mirëqenien e plotë fizike dhe një shëndet më të mirë në vazhdimësi.

“Ka disa qindra substanca me natyrë kimike e fizike që janë identifikuar si kancerogjene. Ato janë të kategorizuara sipas potencialit që kanë shkaktuar neoplazi apo ndryshime qelizore me natyrë kanceroze te njerëzit. Megjithatë, vetëm një pjesë e vogël e tyre është pjesë e zakonshme e sjelljes njerëzore dhe me të cilët ne ekspozohemi shpesh. Produktet apo faktorët e modifikueshëm e me ndikim në zhvillimin e kancereve përfshijnë duhanin, masën dhjamore në trup, alkooli, konsumi i kripës, rrezatimi ultraviolet dhe rrezatimi jonizues, inaktiviteti fizik, mishi i përpunuar në mënyrë industriale, virusi i papilomës humane (HPV), helikobakterium pilori, viruset e hepatiti B dhe C etj.”.

“Bazuar në njohuritë më të mira shkencore, disa kancere si kanceri i mushkërive, kanceri i qafës së mitrës, kanceret e gojës, kanceri i stomakut, melanoma konsiderohen mbi 75% të parandalueshme. Disa kancere të tjera si kanceri i zorrës së trashë, i mëlçisë, i pankreasit, i vezikës urinare, i gjirit konsiderohen 25%-50% të parandalueshëm. Për këtë arsye mesazhi për publikun është i qartë. Një pjesë e madhe e kancereve do të mund të shmangeshin nëse do të bënim të gjithë më shumë përpjekje për një jetë të shëndetshme”, përfundon Ylli.

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›