Eksploziv makinës së policit në Shkodër, shpërthimi shkakton vetëm dëme materiale

Një sasi lëndë plasëse është vendosur në gomën e pasme të një automjeti “Mercedes Benz” i cili ka qenë i parkuar në oborrin e policit Kastriot Selimaj. Ka qenë ora 4 e mëngjesit kur autorët kanë vendosur lëndën plasëse e cila ka shkaktuar dëme të shumta, por pa lënduar njeri.
Për të kryer sulmin e tyre, dy autorët që shfaqen në kamerat e sigurisë, ishin maskuar me pelerina që përdoren në ditët me shi.
Pasi i janë afruar banesës së efektivit, njëri prej tyre hipi mbi murin rrethues, ndërsa tjetri qëndroi në rrugë.
Autori kryesor vendosi lëndën plasëse në gomën e pasme të krahut të pasagjerit dhe me shpejtësi doli në rrugë. Bashkë me shokun që bënte roje ai u largua.
Ngjarja ndodhi 90 minuta përpara se efektivi 50-vjeçar të dilte nga banesa për të shkuar në komisariatin e Shkodrës, ku do të merrte detyrën.
Përpara oficerëve të policisë gjyqësore ai tha se nuk kishte konflikte dhe se nuk e dinte se kush mund të jenë autorët. Por punonjësi i rrugores shtoi se sulmin me tritol e lidh vetëm me detyrën e tij.
Hetuesit ndërkohë po mbledhin prova të tjera, pasi nga pamjet e kamerave të sigurisë, identifikimi i dy autorëve duket i pamundur.
Ky është rasti i gjashtë në Shkodër që një efektiv policie bëhet shënjestër e sulmeve me lëndë eksplozive. /vizionplus.tv